“Dua ta mbyll te Napoli, pa frikë ndaj Barçës. Osimhen? Më ka pyetur për racizmin”

schedule14:58 - 24 Korrik, 2020

schedule 14:58 - 24 Korrik, 2020

Kalidou Koulibaly është një nga lojtarët më të dalluar të Napolit. Mbrojtësi afrikan, për të cilin ka një interesim në merkato nga klubet “big”, ka prekur disa tema në prononcimin e dhënë për Radio Kiss Kiss.

29-vjeçari ndalet te sfida e kthimit kundër Barcelonës (8 gusht, ora 21:00). Takimi i parë në “San Paolo”, u mbyll 1-1 dhe qendërmbrojtësi fton shokët e skuadrës që të mos i kenë frikë katalanasit. Në fund zbulon bisedën me Victor Osimhen, sulmuesin nigerian që do të vijë nga Lille.

Kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të kampionatit, sfida interesante për t’u përgatitur sa më mirë për Barcelonën. Gattuso ka të drejtë, ka raste kur na mungon mentaliteti fitues, por këshillat e tij do të na ndihmojnë të përmirësohemi edhe në këtë aspekt.

Do të jetë shumë e rëndësishme nëse eliminojmë Barcelonën. Nuk duhet t’i kemi frikë, sepse më pas çdo gjë mund të ndodhë në ndeshjet teke. E ardhmja? Do të më pëlqente të mbyllja karrierën te Napoli, por nuk dua të mashtroj askënd.

Jam pjesë e projektit dhe në fund të sezonit do të diskutoj me drejtuesit. Tani jam i përqendruar 100% për të bërë mirë te Napoli. Osimhen? Kam biseduar me të. Më ka pyetur për racizmin në Itali dhe në Napoli. I kam thënë që do të jetë i qetë.

Napoli është një qytet i bukur dhe duhet të mendojë pozitivisht. Do e shohë vetë që tifozët tanë janë pasionantë dhe shumë të zjarrtë“, përfundon mbrojtësi senegalez i ekipit italian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!