Twitter deklaroi se hakerët kanë lexuar mesazhet private nga 36 llogari, që kanë qenë të përfshira në sulmin kibernetik javën e kaluar.
Javën e shkuar, hakerët kanë sulmuar llogaritë e shumë personazheve të shquara politike dhe kulturore, duke iu bërë thirrje përdoruesve që të dërgojnë monedha dixhitale Bitcoin. Twitter tha se 130 llogari kanë qenë në shënjestër të sulmit, i cili ka ekspozuar informacione personale, përfshirë adresa të emailit dhe numra telefoni.
Twitter deklaroi se njëra llogari i përkiste një zyrtari holandez. Edhe pse kompania nuk e publikoi emrin e zyrtarit të prekur, mediat lokale thanë se ka të ngjarë që ai është politikani i ekstremit të djathtë, Geert Wilders.
Komiteti i Tregtisë i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka kërkuar nga Twitter që të dëshmojë për incidentin e ndodhur./abcnews.al