Yllka Stramarku (Bilushi) pedagoge në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë është kandidate për Rektore në këtë Universitet.
Ajo është kandidatura e tretë për pozicionin e rektorit.
Për të folur më tepër për platformën e saj, në rast se do të ketë drejtimin e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, pedagogja Stramarku ishte e ftuar në një bisedë në studion e ABC News me gazetaren Mirela Milori.
Më një CV të pasur dhe me një formim akademik të konsoliduar Stamarku thekson se vëmendje kryesore në platformën e saj do të kenë veçanërisht studentët, pedagogët, funksionimi i universitetit, hapja e multidisiplinave të reja brenda degëve ekzistuese, të cilat sipas saj, do të drejtojnë studentin më mirë në tregun e punës.
Vendimin për të kandiduar për postin e rektorit në universitetin e Vlorës i cili ka një lloj tradite në vend, pedagogja e shëndetit publik Yllka Stramarku, thotë se i ka ardhur si rezultat i një procesi të gjatë reflektimi, me dëshirën dhe vullnetin për ta rikthyer Universitetin e Vlorës në një universitet elitar, me kërkesa të mëdha e prestigjoz.
Ajo e ka të qartë se çfarë do te bëjë sapo të ulet në karrigen e rektorit.
“Kam filluar në këtë Universitet si asistente, më pas Lektore, Pedagoge, aty jam promovuar si Profesore e Asociuar, më pas Profesor Doktor. Kam qenë pjesë e organeve drejtuese të këtij Universiteti, kam mbajtur pozicionin e Shefes së Departamentit të Shëndetit Publik, Drejtore e Qendrës për Kërkime Shkencore në Shëndetin Publik, kam qenë anëtare e bordit të administrimit, kam qenë anëtare e senatit akademik. Duke qenë se e njoh mirë e di po aq mirë se çfarë i duhet këtij Universiteti”, thotë ajo.
Pyetjes së gazetares Mirela Milori se çfarë do të bënte që të rriste numrin e studentëve që prej disa vitesh vijon të mbetet një nga problemet kryesore pedagogia Stramarku shprehet se:
“Ky është një nga problemet më të mprehta të Universitetit të Vlorës kohët e fundit. Numri i studentëve ka pësuar rënie në krahasim me disa vite më parë ku regjistroheshin rreth 4 mijë studentë, ky vit ka regjistruar 1 mijë dhe ndërkohë po shkohet akoma drejt rënies.
Shumë degë të mësuesisë po shkojnë në eliminim të këtyre degëve. Kushtet e reja të pranimit dhe mesatarja e notës mbi 8 që është vendosur do të vazhdojë të përkeqësojë numrin e studentëve në këtë degë. Universiteti i Vlorës ka një staf shumë të përgatitur, i cili është tepër i përkushtuar ndërkohë nga ana tjetër edhe qyteti i Vlorës ka nxënës që mund ta gjejnë veten në këtë Universitet.
Mendoj se duke patur një diplomë që e bën më të qëndrueshme dhe më me vlerë për tregun e punës, duke përdorur trendet që kanë studimet universitare në botë, duke krijuar degë të cilat kërkohen nga tregu i punës me multidisiplina të ndryshme, mendoj se Universiteti i Vlorës do të fitojë një prestigj edhe më të madh, dhe në këtë mënyrë do ti vijë në ndihmë edhe vetë studentëve për drejtimin që duan të marrin në jetë.
Universiteti i Vlorës ka disa degë tepër të kërkuara në tregun e punës siç është Inxhinieria Navale, ky specialitet duhet të ketë një emër më të madh dhe të bëhet më shumë marketing në komunitet.
Ne kemi një përvojë shumë të madhe të “Shkollës së Marinës”, kemi laboratorë shumë të mirë i sjellë nga staf i specializuar që janë siguruar përmes projekteve të ndryshme, që duhen vendosur në funksion të studentëve”.
Gruaja e parë që konkurron si Rektore në historinë e Universitetit të Vlorës ka një strategji të qartë se në cilat degë do të duhet mbështetja më e madhe, sipas kërkesave të tregut të punës, dhe se cila është oferta më e mirë që mund tu japë studentëve dhe prindërve të tyre, nëse do të vendosin që studimet e larta ti kryejnë aty.
“Studentët janë produkt i Universitetit dhe për mua, mendoj se ata duhet të kishin përqindjen më të lartë në votë. Nga Pakti i Universitetit ata fituan disa gjëra, ndërsa në platformën time do të kenë një vend të veçantë, dhe do të kenë shumë rëndësi. Mendoj se do sjell vizion të ri në këtë Universitet, ashtu siç Vlora e meriton”.
Kush është Yllka Stramarku Bilushi:
-Në vitin 1990 kryen studimet në Universitetin e Tiranës në degën “Mjekësi e Përgjithshme”
-Në vitin 1996 ka ndjekur specializimin në “Primary Care Education”, ku diplomohet për “Trainer for General Practicion” në Universitetin e Glasgow Scotland, ofruar nga “Postgraduate Medical Education and Training Board”.
-Ka ndjekur kurse trajnimi në Patologji Speciale dhe Edukim Profesional në Greqi.
-Përfundon me rezultate të larta studimet pasuniversitare në vitin 2006.
-Në vitin 2012 merr gradën Doktor i Shkencave në Shëndetin Publik gjithashtu edhe bashkëpunime të tjera.
-Që prej vitit 2004 pedogoge në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë./abcnews.al