Tërhiqet numri i adoleshentit! Bellingham: Përjetë mirënjohës, s’i mbajta lotët

schedule17:38 - 23 Korrik, 2020

schedule 17:38 - 23 Korrik, 2020

Jude Bellingham është lojtari më i ri i Borussia Dortmund. Verdhezinjtë arritën akordin me Birmingham për shumën e 23 milion eurove dhe siguruan shërbimet e qendërmesfushorit 17-vjeçar, i cili firmosi një kontratë deri në qershorin e vitit 2023.

Klubi ishullor vendosi të hiqte numrin 22 që mbante veshur adoleshenti, në nder të këtij të fundit. Diçka e veçantë duke marrë parasysh moshën e tij të re, një vlerësim fantastik i Birmingham, për të cilin Bellingham ndihet krenar.

Lojtari anglez (dy gola në tre ndeshje me Anglinë U-17), foli rreth kalimit në Bundesligë, duke vlerësuar periudhën në klubin e Championship, aty ku kaloi dhjetë vite. “E dua Birmingham dhe nuk e fsheh se sa rëndësi ka ky klub për mua.

Gjithmonë kam shpresuar që tifozët do të kënaqeshin duke më parë të luaj. Birmingham do të ketë gjithmonë një vend special në zemrën tim, ka qenë një privilegj të luaja këtu. Familja ime më ka mësuar të jem mirënjohës dhe ta dua këtë klub.

Isha 7 vjeç kur erdha këtu dhe ishte e natyrshme të lotoja pas ndeshjes time të fundit. Dortmund? Është vendi më i mirë për t’u zhvilluar dhe përmirësuar. Jam shumë optimist për të ardhmen“, deklaroi adoleshenti i talentuar për sajtin e klubit britanik. /abcnews.al