Seanca për Luan Dacin, avokati: As KPA dhe askush tjetër s’mund ta pezullojë nga detyra!

schedule13:44 - 23 Korrik, 2020

schedule 13:44 - 23 Korrik, 2020

Pas komunikimit të akuzës nga SPAK, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci, shmangu mediat dhe u largua nga dalje tjetër e gjykatës. Daci është marrë i pandehur për veprën penale ”Falsifikim të dokumenteve”.

SPAK pretendon se gjyqtari i KPA-së ka fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 për paaftësi në punë.

Sipas ligjit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të mblidhet për të marrë vendim për pezullimin nga detyra të gjyqtarit deri kur të shpallet vendimi i gjykatës.

Por Avokati i tij tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pasi ka një vendim të gjykatës së Apelit.

“Ka një vendim nga “Apeli” që i ka paraprirë dhe kur në formë të prerë thuhet se nuk ka një vepër penale. KPA nuk do të mund të dalë ndaj një vendimi të tillë. Intimidimi është në anë të kundërt, nuk ka lidhje me këtë vetë personi që ne mbrojmë është në një situatë, që e dini ju dhe është një situatë. Ai është i pafajshëm për sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë që e shpall fajtor”, u shpreh ai.

Ndërsa avokati tjetër Andi Dura argumentoi se ky rast nuk ka të bëjë me vepër penale dhe sepse nuk ka prova të reja nga Prokuroria.

“Nuk është se kishte ndonjë provë të re. I takon gjykatës të vendosë mbi debatin që ne kemi. I qëndrojmë të njëjtit pretendim, që nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Fakti që çështja po shkon në gjykim tregon se SPAK e ka marrë parasysh, arsyetimi është i ndryshëm”, tha ai.

Pak javë më parë Luan Daci fitoi betejën në Apelin e Gjykatës së Posaçme, duke hequr masën e pezullimit nga detyra, të vendosur nga Shkalla e Parë. Brenda 10 ditësh, çështja do të kalojë në seancë paraprake dhe është në dorë të gjykatës të zgjedh mes tre vendimeve, pushim të çështjes, kalim për gjykim ose rikthim edhe një herë tjetër për hetim në SPAK.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!