Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino në një intervistë për “ABC News” u shpreh se ka një rritje graduale të numrit të rasteve, të shtrimeve në spitale dhe personave që humbin jetën për shkak të koronavirusit.
Për këtë arsye shtoi Bino duhet të vendoset një forcim i masave sa i përket distancimit social.
“Ka vetëm një lloj maturie që ne të kufizojmë sa të mundemi. Nuk jemi në një situatë të favorshme për momentin. Kemi një rritje graduale të numrit të rasteve, kemi rritje të numrit të vdekjeve, kemi rritje të shtrimeve në spitale. Të gjitha këto kërkojnë një forcim më të madh të distancimit fizik dhe social”, tha Bino.
Sa i përket numrit të testimeve Bino tha se ditën e sotme ka pasur një numër të vogël të testeve, ndërsa e lidhe me faktin se sot është ditë e djelë dhe se mund të ketë pasur një numër të vogël njoftimesh nga qytetarët. Por shefja e Epidemiologjisë gjithashtu tha se ka një numër të lartë mostrash që kanë ardhur pranë laboratorit.
“Është një numër i vogël. Kemi parasysh që ka qenë ditë e diel dhe ndoshta është marrë një numër ndoshta më i vogël testesh apo dhe lajmërime nga qytetarët. Por dua të them që ka një numër të lartë mostrash që kanë ardhur pranë laboratorit. Ne zakonisht masim testimet javore. Numri i vogël i testimeve nuk ka pasur lidhje me sigurimin e tamponëve apo elementë të tjerë”, tha Bino.
Lexo edhe: Mbyllja e klubeve të natës, Bino për Abc News: Pse u vendos ndalimi i muzikës pas orës 20:00
Sa i përket raportit 1 me 3, pra në çdo tre tamponë një del pozitiv Bino tha se ky fakt është shumë shqetësues ndërsa shtoi se kjo ka qenë edhe një nga arsyet që janë shtuar masat.
“Është tmerrësisht shqetësuese dhe kjo ka qenë një nga arsyet që janë forcuar masat dhe natyrisht numri i testimeve do të rritet. Por edhe këto teste që janë marrë kanë qenë teste përfaqësuese, teste që lidhen me shtrime në spitale me mjekun e familjes. Pra nuk kanë qenë të lidhura vetëm me hetimin epidemiologjik dhe nga testet përfaqësues mund të marrësh një indikacion se çfarë po ndodh”, tha më tej Bino.