Testimet serologjike lejohen edhe në laboratorë privat: Plazma e gjakut do përdoret për shërim

schedule13:26 - 19 Korrik, 2020

schedule 13:26 - 19 Korrik, 2020

Pas rritjes së shifrave të infeksioneve me koronavirus, Komiteti i Ekspertëve ka miratuar fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jo publike, paralel me ato shtetërore.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se testet duhet të jenë të validuara paraprakisht edhe nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ato do duhet të jenë aprovuar fillimisht nga Agjensia Kombetare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore, dhe do të lejohet të përdoren në laboratorë privatë të njohur nga Ministria e Shëndetësisë.

MSH njofton se po bëhet gati testimi aerologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik.

Testet serologjike tregojnë nëse e ke kaluar Covid-19 dhe jo nëse je i prekur aktualisht, ndërkohë që është e përcaktuar se trupit i duhen tre javë për të prodhuar kundërtrupat.

Këto kundërtrupa thotë MSH, do të përdoren për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut për të trajtuar personat e sëmurë.

“Bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon përfshirjen edhe të institucioneve jopublike, në funksion të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka miratuar Protokollin për fillimin testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike. Testet duhet të jenë të validuara paraprakisht nga IShP.

Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombetare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të liçensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2.

Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me kryerjen e testeve serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT. Po kështu, është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik.

Të vetëdijshëm se cilësia dhe siguria e testimit janë thelbësore në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vazhdojë të ketë në fokus të punës së vet, zbatimin rigoroz të kushteve të sigurisë dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Sqarim për qytetarët, mbi TESTIMIN PËR KUNDËRTRUPA:

Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19.

Sido që të jetë rezultati i testimit, pozitiv apo negativ, përsëri duhet të merren masa mbrojtëse për veten dhe të tjerët.

Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen

Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar”, thuhet në njoftim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!