Shyti: Vetëm një ndeshje e dyshuar në Shqipëri, kompanitë e basteve duan lojë të ndershme

schedule12:40 - 18 Korrik, 2020

schedule 12:40 - 18 Korrik, 2020

Hetimi për ndeshjen e dyshuar për trukim, Bylis-Tirana, do të jetë serioz. Një nga specialistët e sportit e të basteve, Artan Shyti, thekson në intervistën për ABC News se janë vetë kompanitë e basteve që duan të mos ketë trukime.

Është edhe drejtor sportiv në futboll, edhe akademik universitar, gjithnjë i lidhur me sportin, por edhe një drejtues në kompanitë e mëparshme të basteve. Artan Shyti është një nga specialistët më të mirë në Shqipëri që mund të flasë për seriozitetin e hetimit të ndeshjes Bylis-Tirana, e dyshuar për trukim.

Shyti mendon se nëse ka ndodhur vërtet diçka, mund të priten pasoja. “Nuk është kollaj të kalojë, sepse ke përballë kompanitë e basteve. Nëse ato janë dëmtuar nga ky aktivitet, atëherë ato i shkojnë përgjegjësisë deri në fund. Betradar është një institucion që financohet nga kompanitë e basteve”.

Janë kompanitë e basteve që janë të interesuara të jetë loja e ndershme. Nuk hyjnë kompnaitë nëpër botë në të tilla makinacione. Ka kampionate që kanë marrë emrin e kompanive të basteve, apo shumë klubë që financohen prej tyre. Ato duan që të luhet ndershëm.

Gjithsesi, Shyti gjykon se futbolli në Shqipëri prej disa vitesh mund të quhet i pastër. “Kemi 2-3 kampionate që është vetëm ky rast që po hetohet. Kur Teuta fitoi me Tiranën, miqtë e mi thonin: ‘Hë mo’, sepse nuk e mendonin që Tirana do mposhtej. Nuk kemi ndeshje të tjera të përfolura apo të përfshira”.

Ish-kryetari I shoqatës së basteve, thekson se kompanitë e basteve duan futboll të drejtë. “Këto ditë po lexoja një material për sportin anglez në vitet 1800. Atje ka lindur koncepti i lojës së drejtë. Thuhej se nëse ndeshjen nuk janë të drejta, atëherë kompanitë e basteve nuk kanë kuptim.

Ai thekson diçka që duket sikur ka lidhje me Skënderbeun e disa viteve më parë. “Ti nuk mund të trukosh në Champions League. Nëse ndodh, atëherë ke bërë vetëvrasje sportive. Reputacioni i saj është shumë i rëndësishëm, më i rëndësishëm se çfarëdo shume të fitohet përmes basteve”.

Shyti thekson se ka dashur që bastet të mos ndaloheshin dhe paratë e tyre të ndihmonin sportin. “Ishte shumë e mundshme që paratë e basteve të kanalizoheshin në sport. Nëse Federatës së Futbollit i jepet licenca për t’i bërë ajo bastet e futbollit, atëherë ajo organizon me klubet një rrjet ku paratë e basteve të mund të kalojnë në futboll. Nuk do të kishte nevojë për asnjë lloj investimi tjetër, as nga bashkitë. Mjaftonte kaq gjë. Kompanitë e basteve dorëzonin rreth 45 milion euro në vit në shtet”. /abcnews.al