Aurela Gaçe është një ndër këngëtaret më të dashura për publikun, e cila njihet dhe për natyrën e saj pa komplekse. Këngëtarja ka eksperimentuar shumë shpesh me pamjen e saj, ku gjithmonë ka ardhur ndryshe, madje duke thyer tabutë për kohët që ka jetuar.
Ajo është bërë nostalgjike dhe ka ndarë me ndjekësit në Instagram disa foto ndër vite ku shfaqet me look-e të ndryshme, mes të cilave ra në sy një foto e vitit 1998, kur këngëtarja vendosi t’i priste flokët shkurt.
Krahas fotos, këngëtarja shkruan se i është dashur të përballet me një sërë paragjykimesh, madje shpesh është cilësuar dhe si e çmendur. Megjithatë, Aurela shton se opinionet nuk e kanë ndalur të bëjë atë që gjithmonë ka dashur, madje e kanë bërë edhe më të fortë.
“Gjithë rruga, nga shtëpia për në Akademi çuçuriste, “ja kjo e çmendura”. Në fakt po ta mendosh thellë thellë jam pakëz. Periudhë jo shumë e lehtë për mua nga ana psikologjike. Sa më shumë ndjeja peshën e gjykimit aq më shumë bëja atë që doja. Kujt po i prishja punë xhanëm?
Gjykuesve jo e jo. Paçka se më bëri pak agresive ajo kohë, duke dashur të thyej rregullat e moralistëve e duke u gjendur përballë një vale të çuditshme epitetesh përsëri i falenderoj se më bënë më të fortë. Fundja fundit, ata kurrë s’do ta kuptojnë Lirinë e Shpirtit. E them këtë sepse edhe sot vazhdon e njëjta mendësi”, ka shkruar Aurela krahas fotos. /abcnews.al/