Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Provokacija”, me Mustafa Nanon.
Brataj foli mes të tjerash për situatën e koronavirusit në vend, ndërsa u ndal tek infektimi i moshave të reja që është hasur ditët e fundit.
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar të shtruar tek Infektivi edhe mosha të reja, ndërsa Brataj veçoi rastin e 21 vjeçares, e cila humbi jetën ditën e djeshme, duke shënuar viktimën më të re bë vend.
Ndërkaq, kreu i Urgjencës thekson se fakti që ka të rinj të infektuar është për shkak se janë më pak të kujdeshëm.
LEXO EDHE: Brataj në “Provokacija”: Vala e parë nuk ka ikur, në spitale nuk do të krijohet kaos
“Për të rinjtë, me hapjen e masave dolën më shumë dhe janë më të pak të kujdeshëm. Për sa i përket të rinjve në terapi intensive nuk më rezulton, ishte vetëm rasti i djeshëm por ishte me sindromë metabolike, që përfshin hipertensionin, obezitetin dhe diabetin. E kemi thënë që ata me patologji janë më të rrezikuar”, u shpreh ai.
Më tej, Brataj shtoi se do duhen edhe disa ditë për të parë efektin e hapjes së transportit publik. Sipas tij, kjo do të sjellë shtim të rasteve. Kreu i Urgjencës solli në studio të dhënat se si hapja ndikoi në shtimin e rasteve në vend.
“Shumë gazetarë të tjerë pyesin se a ka ardhur piku. Unë po shikoja sot dhe i nxora këto. Në datë 4 maj u liruan masat dhe u lejua shërbimi taksi, kjo përkon me 20 majin, nga 2-3 që kishin shkoi në 15. Në 11 maj u hapën të tjera biznese, kjo përkon me 26 maj dhe kishim 25 të infektuar. Në 26 maj ku pati edhe protesta dhe grumbullime njerëzish, njerëzit dolën të mërzitur nga karantina korrespondon me 14 qershorin, 82 të infektuar. Dhe e fundit është 6 korriku që është transporti publik dhe ne kemi një kurbë në rritje. Tani unë pres transportin publik”, deklaroi ai.
Brataj nuk parashikon situatë dramatike, ndërsa thekson se duhet pasur kujdes. Sipas tij karantina nuk vlen më dhe se qytetarët duhet të mësohen të bashkëjetojnë me virusin.
“Nuk mund të themi dramatike. Këto të dhëna tregojnë faktin pozitiv të kontrollit të sëmundjes. Virusi mund të jetë pak më i zbutur. Jeta do të vazhdojë. Ne duhet të bashkëjetojmë me virusin. Në këtë moment e përjashtoj karantinimin. Duhet të insitojmë të ndërgjegjësojmë njerëzit”, u shpreh Brataj. /abcnews.al