Kryeministri Edi Rama i ka kthyer një përgjigje të gjithë komentuesve skeptikë lidhur me procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rama thotë se mllefi dhe verbëria i shtyn njerëzit në këtë pikë sa nuk e kuptojnë as vetë sa qesharakë bëhen, kur hedhin baltë mbi një punë të mirë, duke iu referuar komenteve të disa ndjekësve, në një prej postimeve, ku bie në sy një kolonë me “4 fije të holla hekuri”.
Ai thekson se rindërtimi do të jetë një faqe e bukur e punës së tyre për të ndërtuar një Shqipëri më të denjë se ajo që trashëguan 7 vite më parë nga qeveria e mëparshme.
“ÇUDI E MADHE. Duke ndjekur komentet tuaja në makinë gjatë kthimit në zyrë pasi vumë tullën e parë të Rindërtimit sot, më ra në sy që disa nga ju kapeshin tek “4 fijet e hekurit” të kolonës mbajtëse të shtëpisë, duke përqeshur, sharë e deri edhe mallkuar, sepse sipas tyre, shtëpia do binte nga era, paratë ishin vjedhur, njerëzit ishin mashtruar, etj.
Po si ka mundësi si(!), si ka mundësi që mllefi, verbëria, padurimi a ku di unë se çfarë, t’i shtyjnë disa deri në këtë pikë dhe të mos e kuptojnë as vetë se sa qesharakë bëhen, kur fjala e keqe u vjen si kryefjala e mendimit të tyre edhe kur, dreqi e mori, shohin një punë të mirë!
Po si ka mundësi që edhe njerëz që punojnë, djersijnë, jetojnë me mundin e tyre, kur vjen puna për të parë punën e të tjetrit a tonën në këtë rast, verbohen dhe prishin gojën pa asnjë gajle pavarësisht se sa e gabuar është ajo që thonë!
Po si ka mundësi që dikujt të mund t’i shkojë mendja se kjo “kollonë me 4 fije hekur” na qenka prova e të gjitha të këqijave, kur në fakt është thjesht skeleti i kolonës, që mbushet me hekur!
Por nuk kam se si të mos i justifikoj në fund këta njerëz që flasin këtu kësisoj, kur shpifjet, sajesat e sharjet, janë kthyer prej kohësh në normë komunikimi në hapësirën e debatit publik, politik e mediatik – për turpin e faqen e zezë të atyre që pushtojnë kanalet e portalet nga lartësia e një paturpësie marramendëse, duke krejt gabimisht “dele” këtë popull që të jep ujë në bisht të lugës!
E që ta mbyll, Rindërtimi do të jetë një faqe e bukur e punës sonë të stërmundimshme (e jo pa të meta) për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më të bukur se ajo që trashëguam 7 vjet më parë dhe një shembull që të kujtohet gjatë, për transformimin e jashtëzakonshëm social e urban që do të sjellë, aty ku në 26 nëntor fatkeqësia e madhe goditi fort duke sjellë vdekje, plagë e ankth për të nesërmen, e cila do të jetë shumë më e ndritur se e djeshmja për mijëra familjet e prekura nga ajo fatkeqësi, pa dallim bindjeje politike, prejardhjeje krahinore apo statusi social”, shkruan Rama./abcnews.al