Nusja vjedh 6400 dollarë në shtëpinë e vjehrrit: Burri nuk di gjë, kjo është arsyeja pse e bëra

schedule10:01 - 17 Korrik, 2020

schedule 10:01 - 17 Korrik, 2020

Një vajzë 22-vjeçare është arrestuar ditën e djeshme nga policia e Tiranës pasi ka pranuar që të ketë vjedhur 6400 dollarë nga prindërit e bashkëshortit.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Marqinet të Vorës ndërsa e arrestuara është Fatjona Bumja, e cila ka rrëfyer gjithçka në Komisariatin e Vorës. Bumja jeton shumë pranë me shtëpinë e vjehrrit ku edhe ka pranuar se ka vjedhur para për të mobiluar e kompletuar shtëpinë e saj.

Vjedhja është realizuar në periudha të ndryshme përgjatë një viti dhe, sipas saj, i shoqi ka qenë jashtë kësaj historie. Vjehrri dhe vjehrra kishin nisur të dyshonin prej pak kohësh dhe më pas kanë vendosur që ta denoncojnë rastin.

Fatjona Bumja jetonte me bashkëshortin në një shtëpi më vete ndërsa prindërit e bashkëshortit të saj prej pak kohësh jetojnë vetëm, pasi djalin tjetër e kanë në emigracion dhe herë pas here, nga puna që bën jashtë vendit, u dërgonte para.

Nusja i ka vjedhur paratë në periudha të ndryshme, jo të gjitha njëherësh. Ajo është shoqëruar nga shërbimet e Komisariatit të Vorës dhe gjatë marrjes në pyetje është provokuar duke ia bërë fakt të kryer vjedhjen me arsyetimin se kishte prova që e fajësonin për ngjarjen.

Duke dyshuar se vërtet vjehrri me vjehrrën kishin prova kundër saj, ajo e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, nga e cila ka përjashtuar plotësisht bashkëshortin, duke thënë se ai nuk dinte asgjë.

“I kam vjedhur për të blerë perde dhe gjëra të ndryshme për të kompletuar shtëpinë. Burri nuk di asgjë, pasi atij i kam thënë që paratë m’i jepnin prindërit e mi”, është shprehur 22-vjeçarja. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!