Sassuolo po kalonte një formë shumë të mirë dhe mbrëmë e tregoi forcën edhe kundër Juventusit, duke e kthyer rezultatin nga 0-2 në 3-2. Bardhezinjtë gjithsesi barazuan dhe morën një pikë, ndërsa pas ndeshjes, trajneri Maurizio Sarri analizoi paraqitjen e ekipit të tij dhe thuri elozhe për Sassuolo.
“Një trajner pret qëndrueshmëri nga ekipi i tij dhe është diçka që na mungon si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë mendor. Shpesh kemi disa momente me ritëm shumë të lartë dhe më pas momente pasiviteti. Është e vështirë për t’u kuptuar kjo që ndodh”.
“Kemi luajtur kundër ekipeve në formë kohët e fundit dhe Sassuolo është mes atyre, pasi kishte fituar katër ndeshjet e fundit. Nëse konsolidohen, ata mund të bëhen Atalanta e së ardhmes. Nëse zgjidhim problemin e qëndrueshmërisë brenda një ndeshjeje, atëherë jemi në rrugën e duhur. Çdo ekip bëhet i rrezikshëm nëse e lë të kalojë në treçerekun e fundit të fushës tënde”.
“U vumë në vështirë për shkak se ata luanin mes linjave dhe me një trekuartist. Gjithashtu u dhuruam shpesh topin. Ishte shumë e çuditshme, pasi edhe mbrojtësit tanë ishin të tërhequr disi në pjesën e parë. Më pas nisën të shtynin përpara dhe të fitojnë topa”.
“Ndonjëherë mendoj se kjo skuadër ka shumë potencial, në raste të tjera, të hutojmë duke e lejuar kundërshtarin të të afrohet te porta shumë lehtësisht. Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur dhe kjo nuk është e lehtë”, mbyll Sarri deklaratën e tij. /abcnews.al