Liderët e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut do të takohen javën e ardhshme në përpjekje për t’i dhënë zyrtarisht fund luftës mes dy vendeve. Dy Koretë janë teknikisht në luftë pasi konflikti i viteve 1950-53 u mbyll me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje. Mediat koreano-jugore raportojnë se dy palët kanë mbajtur rregullisht bisedime për të arritur një përfundim konkret të luftës në samitin që do të mbahet së shpejti.
Lideri koreano-verior Kim Jong Un pritet të bëjë një lëvizje historike kur do të takohet me homologun Moon Jae In, në territorin e Jugut fqinj, më 27 prill. Ai do të jetë lideri i parë i Penianit që do të shkelë atje që prej vitit 1950. Dy Koretë mund të diskutojnë gjithashtu edhe për tërheqjen e një pjese të trupave ushtarake të tyre nga zona e çmilitarizuar që ndan dy vendet, bëjnë të ditur mediat aziatike.
Ndërkohë, në maj ose në fillim të qershorit pritet që Kim të takohet me Donald Trump, gjithmonë nëse presidenti amerikan e mban fjalën. Sidoqoftë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë shprehen ende skeptikë për kthesën e papritur të diktatorit anti-amerikan. Javën e kaluar, sekretari i ri i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se Korea e Veriut nuk duhet të presë përfitime nga bisedimet eventuale nëse nuk ndërmerr hapa seriozë në procesin e asgjësimit të arsenalit bërthamor. /abcnews.al