Albi Doka do të largohet nga Tirana në fund të sezonit. Ai do të jetë pjesë e Gorica në Kroaci. Pas fitores me Bylisin, mbrojtësi që po kalon një formë të mirë tregon se trajneri Egbo i ka dhënë shumë mbështetje.
Në emisionin “Gol pas Goli”, ai fillimisht tha: “Mendoj se është momenti më i mirë për mua. Egbo më ka dhënë besim. Edhe Ahmataj na ka dhënë besim, por isha i dëmtuar kur erdhi. Një ndeshje luajta me të. Tani të fitojmë Kupën dhe kampionatin”.
Doka mendon se akuzat e bëra për ndeshjen e parë Bylisi-Tirana kanë qenë të pavend, edhe pse kjo është një çështje për t’u diskutuar. Jo më kot FSHF po e heton dhe kjo për shkak se dyshimet janë të mëdha për trukim (kjo për shkak të lojës së skuadrave dhe luhatjes së koeficienteve).
“Na akuzuan shumë pas ndeshjes së parë dhe ua treguam të gjithëve që e merituam finalen”, tha Doka, të cilit i është ofruar edhe rinovimi i kontratës.“Kam pasur shumë dëshirë të firmosja me Tiranën. Doja të luaja jashtë, është gjëja më e mirë për mua personalisht. Po kalojmë formë të mirë, jo vetëm unë. Dua të fitoj titullin dhe Kupën para se të iki”.
Nuk mund të mungojnë batutat e mbrojtësit të djathtë: “Për këto ndeshjet e vogla nuk kemi premio, vetëm për të mëdhatë. Për ne si Tiranë është e vogël, duhet të jemi gjithmonë në finale”. Në fund ai tregohet i ndjeshëm para largimit. “Do më mungojë stema, ngjyrat bardheblu. Jam rritur me këto ngjyra e në këtë klub. Një rikthim në të ardhmen? Patjetër që po”, mbylli Doka deklaratën e tij. /abcnews.al