Ndryshimet kushtetuese, Rama: Jashtëparlamentarja dhe Presidencialja s’duhet të merakosen

schedule18:17 - 14 Korrik, 2020

schedule 18:17 - 14 Korrik, 2020

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës jashtë parlamentare dhe Presidentit Ilir Meta për ndryshimet kushtetuese, të miratuara paraditen e sotme nga Komisioni i Ligjeve.

Me ironi, kreu i qeverisë  e cilëson Presidencën si “opozita presidenciale”, ndërsa thotë se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë.

Opozitës jashtë Parlamentit, Rama i drejtohet duke thënë se “se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë”.

LEXO EDHE: Presidenca për ndryshimet kushtetuese: T’i jepet fund çdo marrëzie, distancohuni nga aventurierët

Më herët, këshilltari i Presidentit Meta, Tedi Blushi në një reagim shprehej se duhet t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.

Lidhur me ndryshimet Kushtetuese reagoi edhe Partia Demokratike. Sipas demokratëve Rama nuk hap listat, por heq vetëm koalicionet parazgjedhore.

Reagimi i Ramës:

Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë..

Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…

As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!