Klaus Gjasula është rekordmeni i Bundesliga për kartonët e verdhë, por nuk është një nga lojtarët më të këqij të futbollit. Mesfushori shqiptar është larg emrave të tillë si Dani Alves apo Sergio Ramos.
Këtë sezon që sapo u mbyll vendosi rekordin e Bundesliga, me 17 kartonë të verdhë. Klaus Gjasula e siguroi vendin e tij në historinë e futbollit gjerman, por gjithsesi nuk mund të thuhet se është një nga “djemtë e këqij” të 20 viteve të fundit.
Në një renditje të bërë nga mediat europiane sportive, Gjasula ka 132 të verdha në karrierë, duke qenë jashtë 25 vendeve të para. Pikërisht në vend të 25-të është ish-kapiteni i Shqipërisë, ish-lojtari i Paris SG, Olimpikut të Marsejës, Sandërlendit, Gallatasarajit apo Lacios, Lorik Cana, me 162 të verdhë.
Gjithashtu ka njohur edhe të kuqin disa herë gjatë jetës sportive. Sidoqoftë, edhe shqiptari i Kosovës është larg më të këqijve, madje edhe Arturo Vidal, me 180 kartonë të verdhë, mezi arrin në vendin e 11-të. Rekordin e mban kapiteni i Realit, Sergio Ramos, i cili që ka 259 të verdhë.
Ai është “zbukuruar” edhe me 26 kartonë të kuq. Spanjolli ka lënë pas meksikanin Gerardo Torrado (228 të verdhë) dhe brazilianin e famshëm, Dani Alves me 210. Duke u kthyer tek Gjasula, mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, ishte një nga lojtarët më punëtorë të sezonit, nga ata që vrapuan më shumë në Bundesliga, ndonëse Paderborni zbriti nga kategoria.
E ardhmja e tij mund të jetë sërish në Bundesliga 2, ku sipas mediave gjermane e kërkon Fortuna Dysseldorf, ekip që gjithashtu luajti në elitë edicionin që sapo u mbyll dhe kishte në gjirin e saj për gjashtë muaj Valon Berishën, të cilin e kishte huazuar nga skuadra italiane e Lazio. /abcnews.al