Legjenda e muzikës, Tina Turner i është rikthyer muzikës në moshën 80-vjeçare. Turner ka bashkëpunuar me producentin norvegjez Kygo për të sjellë një përpunim të këngës së famshme “What’s Love Got To Do With It”, e cila u publikua për herë të parë në vitin 1984.
Lajmin e ka bërë me dije vetë 28-vjeçari përmes një postimi në Twitter, ku shkruan se kënga e preferuar e tij e të gjitha kohërave do të vijë me një version remake këtë të premte.
“Nuk mund ta besoj se do lançoj një bashkëpunim me Tina Turner këtë të premte. “What’s Love Got To Do With It” një nga këngët e mia të preferuara e të gjitha kohërave. Ende nuk mund ta besoj që m’u dha mundësia të punoj me një artiste legjendare. Mezi po pres që ta dëgjoni.“, shkruan Kygo.
Tani duket se Kygo dhe Turner me remiksin e tyre, do të risjellin të njëjtën magji që kënga pati shumë vite më parë. Kujtojmë se vitin që shkoi, DJ i famshëm publikoi një tjetër remiks të ikonës së muzikës, Whitney Houston. Ai risolli ‘Higher Love” e cila u publikua për herë të parë në vitin 1986. /abcnews.al/

