Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë nga Gjykata Speciale në Hagë pas 6 orëve intervistim.
Në një dalje të shkurtër për mediat pas daljes, Thaçi u shpreh se sot është folur për çështje teknike. Presidenti ka konfirmuar se intervistimi do të vijojë edhe ditën e nesërme.
“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknaliteteve të ndryshme mes avokatit, zotëri Prosper dhe prokurorëve. Do të thotë çështje sqaruese teknike e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që do të vazhdojë edhe nesër”, tha Thaçi.
Kujtojmë se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
LEXO EDHE: “Ky është çmimi i lirisë”, Thaçi hyn në Gjykatën Speciale, kush është amerikani që e mbron
Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Për këto akuza Thaçi po përballet tashmë me prokurorin special. Presidenti mbrohet nga avokati amerikan Pierre-Richard Prosper, një ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane. /abcnews.al