Bashkitë e vendit rrezikojnë të hyjnë në një kolaps financiar. Të ardhurat e njësive vendore kanë pësuar një rënie drastike gjatë periudhës janar-maj 2020. Efektet e tërmetit të nëntorit 2019 por edhe pandemia gjatë këtij viti kanë ndikuar direkt në mbledhjen e taksave në vend.
Sipas Ministrisë së financave në pesë muaj, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura në masën 6 .9 miliardë, shifër kjo që është rreth 4.3 miliard lekë më pak ose rreth 38 perqind më e ulët se vlera e të ardhurave të mbledhura gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2019.
Rënie të fortë të mbledhjes së të ardhurave ka pasur nga taksa mbi pasurinë nga e cila pushteti vendor ka siguruar rreth 1.6 miliard lekë, ose 47% më pak në raport me një vit më parë. Të ardhurat nga taksat lokale në 5 mujorin e parë të vitit 2020 kanë arritur në rreth 5.2 miliard lekë, ose rreth 3.1 miliard lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Kjo rënie me rreth 37% tregon vështirësitë e krijuara për të ardhurat vendore nga situata e pandemisë dhe gjithashtu rolin e rëndësishëm që kanë pasur njësitë e vetëqeverisjes vendore në përballimin me sukses të situatës.
Për shkak të uljes së mbledhjes së të ardhurave njësitë e vet qeverisjes vendore kanë ulur edhe shpenzimet për investimeve rreth 4.7 miliard lekë ose 61% më pak. Rënia e shpenzimeve për investime ka ardhur edhe si pasojë e bllokimit të ndodhur nga pandemia e COVID-19. / abcnews.al