Ambasadori Luigi Soreca njoftoi përmes rrjeteve sociale se Komisioni Europian ka prezantuar vlerësimin e tij për përmbushjen e kërkesave, për mekanizimin e mbajtjes së liberalizimit të vizave me Shqipërinë.
Soreca shkruan se raporti konkludoi se Shqipëria vazhdon të përmbushë kërkesat ndërsa i kërkon vendit që të fokusohet në fusha të caktuara të sigurisë dhe migrimit ku më shumë hapa nevojiten.
Në raport theksohet se Shqipëria duhet të ndërmarrë masa kundër emigrimit të paligjshëm dhe kundër kërkesave të pabazuara për azil në vendet europiane.
Gjithashtu në raport nënvizohet se Shqipëria të bashkëpunojë me agjencitë e BE dhe vendet anëtare që përballen me presion migrator me origjinë nga Shqipëria.
Ndër të tjera raporti kërkon që Shqipëria të përmirësojë efektivitetin e hetimeve dhe përpjekjet për forcim të ligjit për të luftuar nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Shqipëria të përmirësojë të dhënat për rastet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe të shfrytëzojë mbështetjen e dhënë nga Komisioni për të forcuar kapacitetet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.