Rekordi dhe sherri Lloris-Son, Mourinho e kalon me batutë: Ishte skenë e bukur

schedule10:17 - 7 Korrik, 2020

schedule 10:17 - 7 Korrik, 2020

Jose Mourinho e mbajti fjalën, theu rregulloren e distancimit social përpara fillimit të ndeshjes Tottenham-Everton dhe përqafoi Carlo Ancelottin, me të cilin ka një raport fantastik dhe e vlerëson jashtë mase. “Gjelat” fituan 1-0 falë një autogoli të ekipit nga Liverpuli, një fitore e veçantë për trajnerin portugez.

Ky ishte triumfi i 200-të në Premier League për “Special One”, i cili ka drejtuar më parë edhe klubet e Chelsea e Manchester United. Një shifër të tillë suksesesh e ka arritur në 326 ndeshje si trajner dhe më mirë ka bërë vetëm një legjendë si Alex Ferguson (arriti shifrën e 200 fitoreve në Premier në vetëm 322 sfida).

Mbrëmja e bukur e Mourinhos u “prish” disi nga sherri midis portierit Lloris dhe sulmuesit Son. Dy shokët e skuadrës u panë të tensionuar me njëri-tjetrin në fund të pjesës së parë. Ndërhyrja e shokëve të skuadrës evitoi konfrontimin fizik, por pushimi u bëri mirë dhe dy lojtarët u shfaqën të buzëqeshur në fillimin e 45 minutave të dyta.

57-vjeçari e ka kaluar me sportivitet dhe batuta këtë episod të dy futbollistëve të tij, të cilët i ka falur. “Sherri midis Lloris dhe Son? Mendoj se ishte një skenë e bukur. Kemi nevojë për diçka të tillë për të vazhduar përpara dhe për të bërë lojën tonë. Nëse është dikush që duhet fajësuar, ai jam unë.

Jam treguar shumë kritik me djemtë e mi, duke u thënë që nuk po jepnin maksimumin. Kërkova të tregonin shpirt skuadre, duke u bërë më të këqij nëse ishte e nevojshme. Më pas ndodhi ajo që ndodhi. Gjithsesi, grupi i lojtarëve të ekipit tim është i bashkuar. Pas tensionit ishte radha e përqafimeve“, komentoi trajneri luzitan. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!