Superiorja rikthehet të dielën, me dy ndeshje ku Laçi dhe Vllaznia fitoren e kanë opsionin e vetëm. Kurbinasit presin Flamurtarin në shtëpi, kurse shkodranët shkojnë në Gjirokastër dhe do mundohen të mbajnë gjallë shpresat për të lënë vendin e tetë në renditje. Të dyja këto sfida luhen prej orës 17:45.
E hëna ka përballjet më të forta, finalet. Tirana-Kukësi do të marrë vëmendjen kryesore, pasi aty mund të vendoset edhe titulli kampion. Bardheblutë duhet të fitojnë me tre gola, çka nuk do të jetë e lehtë. Gjithsesi, një fitore minimale do t’u jepte mundësinë të tentojnë titullin në derbi dhe të hakmerren ndaj rivalëve të Partizanit.
Në Ballsh vendasit e Bylisit presin “demat e kuq”, që do kërkojnë fitoren e katërt radhazi dhe të vijojnë garën me Laçin e Teutën për një vend në kupat e Europës. Edhe durrsakët kanë një ndeshje të vështirë, ndaj Skënderbeut të “sakatuar” së fundmi. Kjo përballje mbyll javën e 32-të, teksa është programuar të nisë prej orës 20:45. /abcnews.al
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 32
E diel, më 5 korrik 2020
Ora 17:45 | Luftëtari-Vllaznia
Ora 17:45 | Laçi-Flamurtari
E hënë, më 6 korrik 2020
Ora 17:45 | Tirana-Kukësi
Ora 17:45 | Bylisi-Partizani
Ora 20:45 | Teuta-Skënderbeu