Sanksionet e vendosura javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara kanë bërë që vlera e kompanive ruse të lidhura me Kremlinin të përgjysmohet në bursat ndërkombëtare.
Sanksionet e reja të vendosura nga administrata amerikane ditën e premte kanë bërë që të hënën vlerat e aksioneve të kompanive ruse të pësojnë një rënie të thellë. Sanksionet u vendosën ndaj 7 oligarkëve dhe kompanive të lidhura me Kremlinin dhe në veçanti me presidentin Vladimir Putin.
Kështu, aksionet e gjigandit rus të aluminit, “Rusal”, panë vlerën e tyre të përgjysmohej në bursën e Hong Kongut. “EN+”, një tjetër kompani shërbimet e së cilës variojnë nga alumini tek energjia hidrike, e zotëruar nga Oleg Deripaska pësoi një rënie prej 25 për qind në bursën e Londrës.
Edhe vetë tregu financiar i Rusisë u shkund të hënën si pasojë e sanksioneve, që erdhën pas krizës diplomatike që lindi mes Moskës dhe Perëndimit pas helmimit të ish-spiunit rus në Angli, Sergei Skripal. Sanksionet, përveç oligarkëve dhe 12 kompanive të zotëruara prej tyre kanë prekur edhe 17 zyrtarë të hershëm të qeverisë ruse, të akuzuar për “aktivitete dashakeqe” në dëm të Amerikës.
Nga ana e tij, Kremlini reagoi ashpër duke e cilësuar veprimin e Uashingtonit një akt të egër ilegal dhe në shkelje të të gjitha normave. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se, qeveria ruse po bën gjithçka mundet për të minimizuar dëmet. Një oligark tjetër i goditur nga sanksionet është Alexei Miller, drejtor i gjigandit shtetëror të energjisë “Gazprom”./abcnews.al