Fitimi i Kupës së Italisë, i ka bërë mirë Napolit dhe skuadra e Gattusos arriti fitoren e radhës në kampionat. Napoli mposhti 3-1 në “San Paolo” Spal dhe i është afruar shumë Romës së vendit të pestë (tre pikë diferenca). Elseid Hysaj e nisi ndeshjen si titullar dhe e zhvilloi takimin të plotë.
Mertens, Callejon dhe Younes realizuan për vendasit, ndërsa Petagna barazoi përkohësisht rezultatin në pjesën e parë. Atalanta nuk ndalet as në fushën e Udineses. Skuadra bergamaske shënoi tre gola dhe u largua me tre pikë pas triumfit 2-3.
Zapata dhe një dygolësh i Luis Muriel, i dhuruan suksesin e radhës Atalantës, që po tenton të kapë Interin e vendit të tretë. Sulmi i skuadrës së Berat Djimsitit, i cili luajti vetëm në pjesën e parë, numëron 80 gola dhe është më i miri në Serie A.
Sassuolo dhe Verona zhvilluan një ndeshje spektakolare mes tyre. Sfida u mbyll në barazim 3-3 dhe të gjashtë golat u shënuan në pjesën e dytë. 39 pikë numëron Verona dhe kualifikimi në Europa League është gjashtë pikë larg.
Kriza e Sampdorias është thelluar edhe më shumë pas humbjes 1-2 në shtëpi. Bologna realizoi dy gola në pjesën e dytë dhe siguroi një trepikësh të rëndësishëm. /abcnews.al