Ditën e sotme janë zhvilluar ndeshjet e radhës në Kategorinë e Dytë. Në grupin A nuk pati surprizë dhe fituan të gjithë skuadrat kryesuese. Vora realizoi 7 herë përballë Internacionalit dhe vazhdon të kryesojë me 53 pikë.
Katër pikë më pak numëron Luzi, që iu fal golave të Kocit dhe Sejdinit për të mposhtur në shtëpi 2-1 Sopotin. Partizani B i vendit të tretë, fitoi 0-2 jashtë fushe kundër Spartakut. Triumfe edhe për Vllazninë B dhe Mirditën, që siguruan tre pikët në ndeshjet shtëpiake.
Tomori nuk u përmbajt në Berat përballë Albpetrolit, sfidë që e fitoi 5-0. Skuadra beratase ndodhet në krye të grupit B me 52 pikë, tre më shumë se rivalët e sotëm dhe Maliqi.
Skuadra juglindore mposhti 4-2 në shtëpi Përmetin dhe vazhdon të shpresojë për t’u ngjitur një kategori më lart. Në ndeshjet e tjera, ranë në sy fitoret e Tepelenës, Naftëtarit dhe Memaliajt, ndërsa sfida Këlcyra-Gramozi përfundoi ashtu siç nisi. /abcnews.al