Kryepeshkopi Anastas Janullatos i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai është shtruar me urgjencë në spitalin “Hygeia” në kryeqytet, pasi ka pësuar një atak kardiak në zemër.
Agjencia e lajmeve kishtare raporton se ai ka vendosur dy stenda në zemër dhe tashmë është në gjendje më të stabilizuar.
Sipas Romfea.gr, Janullatos tashmë 90-vjeç, kishte shfaqur probleme me zemrën përgjatë kohëve të fundit.
Kisha Ortodokse në Shqipëri njofton se brenda dy ditësh kryepeshkopi Janullatos do të jetë në gjendje të kthehet në Kryepeshkopatë.
“Pasditen e së premtes, dt. 26 qershor 2020, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastasi, u shtrua në një spital privat në Tiranë, për shkak të shqetësimeve kardiake.
Pas ekzaminimeve, u konstatua stenozë e arteries së zemrës dhe brenda ditës u realizua me shumë sukses ndërhyrja angioplastike, me vendosjen e dy stentave. Lavdi Zotit, sot, ditën e shtunë, shëndeti i tij paraqitet veçanërisht i kënaqshëm.
Mjekët e informuan se brenda dy ditësh do të jetë në gjendje të kthehet në Kryepiskopatë.
Kryepiskopata e Hirshme e Tiranës dhe Durrësit”, thuhet në njoftim./abcnews.al