Një mjek në Itali është dënuar me 1 muaj burg pas një procesi që zgjati më shumë se 8 vjet. Mjeku kishte kryer një transfusion gjaku të detyruar tek një paciente që i përket dëshmitarëve të Jehovait, fe që e ndalon një praktikë të tillë mjekësore.
Vendosi të kryente një transfuzion gjaku tek një paciente që i përkiste dëshmitarëve të Jehovait e për këtë arsye nuk i lejohej kjo praktikë. Për këtë arsye një mjek i spitalit Termini Imereze në Palermo, Xhovani Spinato, u dënua me një muaj burg me akuzën e ushtrimit të dhunës. Tre mjekët e tjerë që kishin marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale u lanë të lirë. Përveç kësaj, Spinato duhet t’i paguajë ish-pacientes së tij një shumë prej 10 mijë eurosh në formë dëmshpërblimi.
Në vitin 2010, pacientja në atë kohë 25-vjeç, ishte shtruar në spital pasi ishte në rrezik dështimi. Mjekët konstatuan se fetusi ishte i pajetë dhe për këtë arsye duhej hequr. Por pacientja refuzoi çdo mundësi për transfusion gjaku pasi ishte në kundërshtim me besimin e saj fetar. Por duke vlerësuar se jeta e saj ishte në rrezik, mjeku gjithsesi vendosi që të kryente transfuzionin e gjakut, por duke informuar dhe prokurinë për rastin në fjalë.
Një raport mjekësor i kërkuar nga familjarët konfirmoi se pacientja nuk ishte në rrezik jete dhe nuk i duhej medoemos një transfuzion gjaku. Procesi gjyqësor ndaj mjekut u ndoq nga komuniteti i dëshmitarëve të Jehovait, sipas të cilit, vendimi i gjykatësit ishte në harmoni me të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare./abcnews.al