Një adoleshent portugez çmend Juventusin, piketohet pasardhësi i CR7

schedule16:17 - 25 Qershor, 2020

schedule 16:17 - 25 Qershor, 2020

Cristiano Ronaldo ka një kontratë deri në verën e vitit 2022 me Juventusin, por ylli portugez mund të largohet në fund të këtij sezoni nga bardhezinjtë. Në media flitet për një interesim të Chelsea, që është gati të shpenzojë rreth 120 milion euro për 35-vjeçarin.

Raportet e lojtarit me trajnerin Sarri janë prishur dhe nuk përjashtohet shitja e tij në fund të këtij sezoni. Juventusi nuk është kundër, mjafton që sulmuesi t’i shprehë drejtuesve dëshirën për të provuar një tjetër aventurë.

Kampionët e Italisë nuk duan të mbeten të papërgatitur dhe kanë piketuar pasardhësin e Ronaldos. Flasim për një tjetër portugez, por 18 vite më të ri se fituesi i pesë “Topave të Artë”. I preferuari i bardhezinjve është Fabio Silva.

17-vjeçari është pjesë e Portos, aktivizohet në qendër të sulmit dhe cilësohet si një talent. Aktualisht luan me Portugalinë U19 dhe ka shënuar tre gola në pesë ndeshje të zhvilluara. Teknika nuk i mungon, fizikisht është i fortë dhe kaq mjafton për ta krahasuar me CR7.

Porto nuk e lëshon kollaj dhe do të tentojë të përfitojë sa më shumë nga shitja e Silvës, ndërsa Juventusi është gati të bëjë një sakrificë për të siguruar shërbimet e adoleshentit të talentuar. /abcnews.al