Akhmat Grozny arriti një fitore shumë të rëndësishme në fundjavë. Skuadra ku aktivizohen Odise Roshi dhe Bernard Berisha, triumfoi 2-4 në fushën e Krylya Sovetov, duke iu larguar vendit të fundit. Tre pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën për ekipin çeçen.
Të dy futbollistët shqiptarë treguan një formë shumë të mirë. Berisha shënoi një nga golat (të katërtin) dhe asistin për lojtarin dardan e dhuroi Roshi. Ishte minuta e 69-të kur fieraku i kombëtares kuqezi lëvizi bukur në krahun e djathtë, shmangu një mbrojtës vendas dhe nxori Berishën me portën bosh.
Goli i tretë në kampionat gjatë këtij sezoni për 28-vjeçarin nga Peja, ndërsa Roshi i gëzohet daljes në formacionin më të mirë të javës në Superligën ruse. Performanca e 29-vjeçarit është vlerësuar shumë dhe ai renditet mes 11-të lojtarëve më të mirë të javës në elitën e futbollit rus. /abcnews.al