Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho në një deklaratë nga selia blu u shpreh se 15 kushtet për integrimin nuk janë për Shqipërinë , por për Edi Ramën.
Sipas tij për të zhbllokuar rrugën e integrimin duhet një Parlament dhe një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Vendimi i Parlamentit Europian për 15 kushtet përpara nisjes së negociatave provoi se me Edi Ramën shqiptarët vetëm humbasin kohë të çmuar. Kur mori pushtetin ishin vetëm tre, tani janë 15 kushte për tu plotësuar. 15 kushtet për integrimin nuk janë për Shqipërinë , por për Edi Ramën”, u shpreh Spaho.
Gjithashtu ai theksoi se kryeministri bllokoi Gjykatën Kushtetuese sipas tij për të përfituar me vendime të paligjshme.
Spaho deklaroi se për të fshehur të vërtetat e keqqeverisjes së tij, kryeministri tentoi t’i mbyllë gojën medies më ligjin e censurës.
“Njeriu që kontrollon pjesën më të madhe të televizioneve, me ligjin antidemokratik të censurës, tentoi të mbajë në presion medien online. Kjo tentative u frenua nga Komisioni i Venecias duke i dhënë Shqipërisë shansin të përmbushë dy nga 15 kushtet për hapjen e negociatave.
Qeveria dhe kryeministri i vendit i shërbejnë një grupi oligarkësh. Ajo që na duhet për të zhbllokuar rrugën e integrimin është një Parlament dhe një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha më tej Spaho./abcnews.al

