Tensionet me Perëndimin/Kina del në mbështetje të Rusisë

schedule19:13 - 4 Prill, 2018

schedule 19:13 - 4 Prill, 2018

Kina i ka ofruar mbështetjen e saj Rusisë në përballjen me Perëndimin. Gjatë një vizite në Moskë, ministri kinez i Mbrojtjes ka thënë hapur se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve është një mesazh për Amerikën.

Lidershipi ushtarak kinez është rreshtuar përkrah Rusisë në një kohë kur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit vazhdojnë të përkeqësohen, me izolim diplomatik, sanksione ekonomike dhe stërvitje ushtarake sfiduese. Në vizitën e tij të parë në Rusi, ministri i ri kinez i Mbrojtjes, Ëei Feng ka deklaruar se vizita e tij vjen me rekomandim direkt të presidentit Xi Jinping dhe në emër të tij ka përcjellë dy mesazhe për Rusinë. “Po e vizitoj Rusinë për t’i treguar botës nivelin e lartë të zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe vendosmërinë e palëkundur të forcave tona të armatosura për të përforcuar bashkëpunimin strategjik”, ka thënë Ëei në një takim me homologun rus Sergej Shoigu. Së dyti, ka vijuar ai, po e vizitoj Moskën për t’u treguar amerikanëve lidhjet e ngushta mes forcave tona të armatosura, sidomos në këtë situatë. “Pala kineze është e gatshme të mbështesë palën ruse për të adresuar shqetësimet tona të përbashkëta dhe për të unifikuar qëndrimin për problemet ndërkombëtare”, ka thënë ministri kinez. Presidentët Xi Jinping dhe Vladimir Putin drejtojnë ato që njihen si ushtria e dytë dhe e tretë më e fuqishme në botë pas Shteteve të Bashkuara. E ndërsa Pentagoni ka ndjekur një linjë të njëanshme zhvillimi kundrejt konkurrentëve të tij, Moska dhe Pekini kanë koordinuar lëvizjet me qëllimin e përbashkët për të sfiduar influencën amerikane nëpër botë./abcnews.al