14 persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ndaj tyre rëndojnë vepra të ndryshme penale, siç janë vjedhja, prodhimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike e deri tek shkaktimi i aksidentit dhe dhuna në familje.
Kështu, një 33 vjeçar është arrestuar nga efektivët e komisariatit nr.5 në Tiranë pasi pasi ka thyer urdhrin e mbrojtjes së dhënë nga Gjykata dhe ka përndjekur vazhdimisht bashkëshorten, me të cilën është në proces divorci, duke i krijuar asaj gjendje frike dhe pasigurie për jetën e saj dhe të familjarëve.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. N., 52 vjeç, në Kamzë, pasi ka thyer urdhrin e mbrojtjes së dhënë nga Gjykata dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë sistematike ndaj të birit të mitur.
Ndërkohë një 39 vjeçar u arrestua pasi në rrugën “Njazi Meka”, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses.
Siç bën me dije policia, një 34-vjeçar, me inicialet M. Sh, i cili në rrugën e Barrikadave ka vjedhur motorin tip ‘Piaggio’ në pronësi të shtetasit E. S, është arrestuar nga efektivët e komisariatit numër 1. Ndërkohë po nga ky komisarit është arrestuar në flagrancë 37-vjeçari A. M, 37 vjeç, pasi në rrugën “Mustafa Lleshi”, i ka vjedhur aparatin celular që e mbante në çantën e krahut, shtetases B. K.
Raportohet se 6 perona të tjerë janë arrestuar nga policia rrugore për vepra të ndryshme:
E. S., 27 vjeç, pasi në rrugën “Filip Jano” ka aksidentuar shtetasin K.Z. (këmbësor), i cili ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore;
•E. O., 48 vjeç, S. H., 46 vjeç, E. K., 30 vjeç dhe P. K., 44 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur;
•D. Sh., 25 vjeç, pasi drejtonte mjetin pa lejen përkatëse.