E vështirë t’i mbash tifozët larg Tiranës, sidomos tani që titulli kampion është kaq pranë. Fanatics dhe Capital Crew nuk u janë ndarë beniaminëve të tyre edhe gjatë kësaj periudhe, kur autoritetet e ndalojnë të ketë tifozë në stadiume.
Ata kanë gjetur zgjidhje alternativë për ta ndihmuar Tiranën. Veç këngëve e koreve ka edhe mesazhe të shpalosura, sikurse ato që u hapën dje në stadiumin “Selman Stërmasi”. Capital Crew kishin zgjedhur cepin e tyre për të shkruar: “Tirona e modhe, gzo tifozët e TV”.
“Qyteti im Tironia, dashni kom veç për ty, Jom i sëmur mas teje, e s’du me u shëru”, është banderola tjetër, ajo e hapur nga Fanatics në fillim të ndeshjes. Në fund të gjithë dolën të gëzuar, pasi Tirana e fitoi klasiken kundër Vllaznisë me shifrat 3-0.
BATUTAT – Pashk Laska, presidenti i Laçit, pasi ndoqi goleadën e Partizanit një javë më parë, tashmë është rikthyer në “Selman Stërmasi” dhe ka ndjekur përballjen e Tiranës me Vllazninë. I ndodhur në tribunën kryesore, nuk kanë munguar as ngacmimet.
Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, Tefik Osmani është ai që e ka nisur lojën. “Paske ardhur të shikosh ndonjë talent Pashku?!”. Kreu i Laçit e ka pasur gati përgjigjen: “Mos mor burrë, kam ardhur me të pa ty”. Osmani e nisi nga stoli dhe me siguri Laska thjesht ka kaluar një pasdite tjetër pranë futbollit. /abcnews.al