Cfarë është videokapilaroskopia?
Videokapilaroskopia është një teknikë imazherie joinvazive, mjaft e thjeshtë për tu realizuar, e padhimbshme, e cila mundëson pamjen e qarkullimit të gjakut në kapilarët sipërfaqësorë të lëkurës. Kapilaroskopi është një mikroskop me lente zmadhuese i cili vendoset në shtratin e thoit dhe mundëson një pamje të mirë të kapilarëve.
Cila kategori pacientësh e ka të nevojshëm këtë ekzaminim?
Videokapilaroskopia duhet të kryhet në të gjithë pacientët që kanë (shfaqin) fenomen Raynaud ose e thënë ndryshe që kanë zbehje, nxirje dhe skuqje të ngjyrës së lëkurës në duar, këmbë , veshë pas ekspozimit në temperatura të ulëta. Këta persona kanë gishta të ftohtë që shoqërohen me ndjesi të mpirjes ose miza-miza.
Kemi dy grupe personash që shfaqin këtë fenomen dhe përkatësisht:
- 90 % janë personat që kanë Raynaud primar por që nuk përbën problem serioz për organizmin
- Ndërkohë që 10 % e personave kanë fenomen Raynuad sekondar. Këta individë gjatë jetës së tyre zhvillojnë sëmundje reumatizmale me natyrë autoimune si Sklerodermia, Dermatomioziti apo Lupusi.
Videokapilaroskopi është pajisja e cila ndihmon pikërisht në diferencimin e personave normalë nga ata që mund të zhvillojnë sëmundje reumatizmale.
Si realizohet Videokapilaroskopia?
Pacienti akomodohet 20 minuta në temperaturën e dhomës 20-24 gradë Celsius. Rekomandohet që 4 orë përpara kryerjes së këtij ekzaminimi pacienti të mos ketë pirë kafe ose cigare. Ndërkohë duart duhet të jenë të lara, pa trauma lokale, ndërsa thonjtë duhet të jenë PA manikyr.
Për kryerjen e proçedurës mjeku vendos fillimisht pak vaj vegjetal në shtratin e thoit të pacientit dhe nëpërmjet Mikroskopit digital mundësohen pamjet e kapilarëve në monitorin përkatës. Sëmundjet reumatizmale japin disa ndryshime specifike të cilat arrijnë të identifikohen gjatë këtij ekzaminimi dhe më pas interpretohen nga mjeku dhe më pas i shpjegohen edhe pacientit.
Pse kryhet Videokapilaroskopia në pacientët me sëmundje reumatizmale?
Sëmundjet reumatizmale janë sëmundje që prekin jo vetëm kycet por edhe enët e vogla të gjakut (mikroangiopati). Sëmundjet reumatizmale si: Sklerodermia, Dermatomioziti dhe Lupusi janë një grup sëmundjesh që dëmtojnë pikërisht enët e vogla të gjakut dhe në të tilla raste është e nevojshme të kryhet Videokapilaroskopisa që kryhet kryesisht për të parë keto dëmtime dhe në të njëjtën kohë edhe për te klasfikuar gradën e dëmtimit të tyre që klasifikohen në; të hershëm, aktiv & të vonshëm. Pas përcaktimit të diagnozës së saktë mjeku specialist reumatolog rekomandon edhe trajtimin e duhur për pacientët.
Proçedura e Videokapilaroskopisë kryhet për herë të parë në Shqipëri vetëm në Spitalin Hygeia dhe realizohet nga mjekia reumatologe, dr. Blerina Dhamo, e cila është çertifikuar nga Shoqata Europiane e Reumatologjisë EULAR (Genova Shtator 2018 ) për përdorimin e Kapilaroskopisë në sëmundjet Reumatizmale.
Dr.Blerina Dhamo
Mjeke Reumatologe/Spitali Hygeia
Kontakto; 04 23 90 000