Bajerni është favorit i madh për t’u kualifikuar ndaj Seviljes në Champions, por trajneri Jup Hajnkes, fton yjet e tij që të bëjnë kujdes. Jo më kot, skuadra spanjolle eleminoi Mançester Junajtidin.
Nëse duhej lëshuar një paralajmërim, kjo skuadër e bëri. Bajerni shkatërroi Dortmundin 6-0 në Derbin e Gjermanisë, vetëm pak ditë përpara sesa të ndeshej me Seviljen në Ligën e Kampionëve. Me Hames Rodrigezin në formë të madhe, ashtu si Robert Leëandoëski, Tomas Muller apo Franck Ribery, skuadra bavareze i deklaroi hapur synimet e saj, siç do të shprehej trajneri Jup Heynckes.
Pas festës në Bundesligë, erdhi udhëtimi drejt Spanjës, vendit ku luajnë ekipet favorite të Championsit, si Reali apo Barcelona, po ku ndodhet edhe Sevilja. Bavarezët jepen favoritë për takimin e sotëm në 20:45, edhe pse Hajnkes ka disa mungesa si të dëmtuarit Manuel Nojer e Kingsli Koman, po ashtu edhe dyshime si Arturo Vidalin apo Huan Bernatin.
Jup Heynckes: “Kemi disa probleme në skuadër dhe do të shikojmë deri në fund se kush do të luajë. Gjithsesi, i kemi lojtarët për t’u paraqitur mirë dhe për të synuar një rezultat pozitiv këtu në Spanjë. Sevilja nuk është aspak kundërshtar i lehtë, dhe ne nuk u gëzuam kur na ra shorti me të. Natyrisht, Reali, Barcelona e Mançester Siti po luajnë shumë mirë, ashtu siç po bën Liverpuli, por nuk duhet të harrojmë se Sevilja ka shumë përvojë, dhe se eleminoi Mançester Junajtidin”.
Sevilja bëri përgatitjet e fundit, në përpjekje për të bindur veten se mund t’ia dalë. Trajneri Vinçenco Montela u përpoq të mbante lart moralin e ekipit pasi i shpëtoi nga duart fitorja ndaj Barcelonës. Gjithsesi, suksesi ndaj Mançester Junajtidit është një shembull sesi duhet të luhet ndaj më të fortëve të Europës.
Vicenzo Montella: “Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të mos e lejojmë Bajernin të luajë siç dëshiron. Bajerni është mësuar të shënojë shumë gola, të luajë në sulm dhe të krijojë shumë raste. Ne duhet të bëjmë presion në mënyrë të tillë që ata të mos luajnë ashtu siç janë mësuar. Nuk shqetësohem për diferencën fizike me gjermanët, por kërkoj që të jemi të fortë psikologjikisht, sepse ndeshjet fitohen me mendje, dhe jo me këmbë”.
Sevilja nuk është Bajerni, dakord, por është një emër në Europë. Nëse bavarezët kanë fituar pesë herë Championsin, spanjollët kanë triumfuar 5 herë në Ligën e Europës, që dikur ishte Kupa UEFA. Gjithçka nisi 12 vjet më parë, në finalen ndaj Midëllsbrout dhe tifozët shpresojnë që të mos përfundojë tani. Sevilja synon lavdinë edhe në Ligën e Kampionëve./abcnews.al