Napoli dhe Juventusi do të përballen mes tyre nesër (e mërkurë, 21:00) në finalen e Kupës së Italisë. Të dy skuadrat do të bëjnë të pamundurën për të fituar këtë trofe dhe trajnerët po merrem me detajet e fundit.
Stërvitja e ditës së djeshme nuk ka kaluar pa probleme për Napolin. Gennaro Gattuso ka ndalur seancën në një moment dhe ka urdhëruar Hirving Lozanon të largohet. “Mjafton me kaq, ik dhe bëj dush tani“, i është drejtuar trajneri sulmuesit meksikan.
Shkaku? 24-vjeçari ka qenë i “përgjumur” dhe po stërvitej pa intensitet e përqendrimin e duhur, të paktën këtë ndjesi i ka dhënë trajnerit. Një tip si Gattuso nuk mund ta pranojë kurrë një qëndrim të tillë dhe ka reaguar menjëherë.
E njëjta skenë ndodhi edhe para disa muajsh me Allan. Napoli po përgatitej për transfertën kundër Cagliarit dhe mesfushori brazilian nuk po jepte maksimumin në stërvitje. Rikthehemi te Lozano. Napoli pagoi 42 milion euro te PSV verën e kaluar dhe blerja e tij krijoi entuziazëm të madh te tifozët.
Sulmuesi latin ia ka dalë të shënojë vetëm tre gola, duke zhgënjyer me rendimentin e ofruar dhe paraqitjet e bëra. Ngjarja e djeshme me Gattuson mund të sjellë fundin e aventurës së tij në skuadrën italiane dhe një ofertë e mirë mund ta largojë nga skuadra. /abcnews.al