Grevë në transportin hekurudhor, “paralizohet” Franca

schedule21:14 - 2 Prill, 2018

schedule 21:14 - 2 Prill, 2018

Punonjësit e sektorit hekurudhor në Francë kanë hyrë në grevë, një lëvizje kjo që konsiderohet si sfidë ndaj Presidentit Macron dhe reformës së tij të punës. Punonjësit druhen se plani i kreut të shtetit për privatizimin e sektorit do të sjellë shkeljen e të drejtave të tyre.

Punonjësit e sektorit hekurudhor në Francë kanë zgjedhur grevën për të protestuar kundër reformës së punës, e paralajmëruar nga Presidenti Macron. Pasi kanë vendosur t’u mundësojnë qytetarëve udhëtimet me rastin e festës së Pashkës katolike, drejtuesit e sektorit kanë paralajmëruar se nga e marta udhëtimi do të jetë shumë i vështirë.

Greva mund të zgjasë deri në 3 muaj dhe me të ka gjasa që të solidarizohen edhe punonjësit e pastrimit të qyteteve dhe ata të sektorëve të ndryshëm të energjisë. Masa e Presidentit Macron për të liberalizuar sektorët shtetërorë u kundërshtua edhe 22 Marsin e kaluar, kur dhjetëra mijëra mësues, infermierë dhe punëtorë nga fusha të ndryshme u bashkuan me ata të hekurudhave.

Punonjësit e këtij sistemi gëzojnë aktualisht kushte të mira pune, mes të cilave përfshihen rritja automatike vjetore e pagës, pensioni i parakohshëm, 28 ditë leje të paguara dhe mbrojtje nga shkarkimi. Ata druhen se me liberalizimin e sektorit do t’i humbasin këto të drejta. Konkretisht, qeveria e Macron planifikon shfuqizimin e kontratave aktuale që Korporata Kombëtare e Hekurudhave ka me shtetin dhe angazhimin e kontraktorëve të rinj, sikurse bëhet me çdo industri tjetër.

Synimi është tërheqja e investitorëve, në mënyrë që hekurudhat franceze të plotësojnë parametrat e BE-së brenda vitit 2023. Një arsye tjetër përse qeveria kërkon ndërhyrjen e sektorit privat është edhe fakti se Koorporata është e mbytur në borxhe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!