Aurelio De Laurentiis, presidenti i Napolit, është nga ato që i thotë gjërat troç, edhe pse mund të shkaktojuni polemika. Kreu i klubit italian nuk e harron largimin e Maurizio Sarri drejt Chelsea dhe e konsideron një tradhti, për shkak se e gjitha ndodhi për shkak të parave.
“Më hidhëroi me arsyetimin vulgar të parave. Më detyroi të ndryshoja, edhe pse kishte edhe dy vite kontratë. Më ftoi në shkurt për drekë në Toscana dhe nuk më foli aspak për ndonjë ndarje largim. Ma tha një ditë para ndeshjes së fundit, duke krijuar shqetësime dhe pasiguri në klub”, shprehet De Laurentiis në intervistën e dhënë për Corriere Dello Sport.
Kur i kujtojnë se Napoli në tre vite me Sarrin në stol ishte i shkëlqyeshëm, ai shton: “Për të bërë një film të bukur, të duhet një regjisor i shkëlqyer dhe një producent i shkëlqyer. Është e natyrshme që sipërmarrësi jep udhëzime dhe i njihet një pjesë e meritës në sukses, jo vetëm faji në humbje.
Kush e mori Cavanin? Unë. Po Mazzarin? Unë. Po Benitez? Gjithmonë unë. Po Higuain? Po Sarri? Kur e zgjodha atë e mbushën qytetin plot me pankarta kundër meje”, shton presidenti i Napolit, i cili e zgjodhi Sarrin pas një sezoni tek Empoli dhe vuri bast mbi të në njëfarë mënyre.
Aurelio nuk ndalet me kaq dhe flet edhe për trajnerin tjetër, italianin Carlo Ancelotti: “Carlo më kujton babanë tim. Zgjodha qetësinë e tij. Babai im ishte një filozof, një njeri i ëmbël. Duke marrë atë si trajner nuk e di nëse bëra gjënë e duhur për Napolin.
Pas sezonit të parë, duke pasur parasysh edhe klauzolën në kontratë, duhet t’i thosha: ‘Carlo, për mendimin tim nuk je për futbollin që njerëzit duan në Napoli. Mbesim miq të shkëlqyer, por futbolli në Napoli është tjetër gjë. Unë ju prezantova me një qytet që ju e dashuroni pa masë dhe që ju ka befasuar. Më mirë e mbyllim këtu’. Gabova për herë të dytë”. /abcnews.al