Bayern Munchen nuk di të ndalet dhe fitoi 2-1 kundër M’Gladbach ditën e djeshme. Triumfi i dhjetë radhazi në kampionat, edhe pse djemtë e Flick vuajtën shumë. Leon Goretzka realizoi golin e fitores katër minuta përpara fundit dhe bavarezët kryesojnë me +7 pikë nga Dortmundi.
Portieri dhe kapiteni i rekordmenëve gjermanë, Manuel Neuer analizoi fitoren e arritur dhe vlerësoi shokët e skuadrës për aftësinë e zgjidhjes së këtyre ndeshjeve aspak të lehta. Dueli i radhës është jashtë fushe kundër Werder Bremen dhe një fitore do e shpallte zyrtarisht kampion Bayern Munchen.
“Ishte një ndeshje e ngjashme me atë të Kupës së Gjermanisë (2-1 kundër Eintracht Frankfurt, të mërkurën). Lumturi e madhe kur ia dalim të gjejmë golin e fitores në ndeshje kaq të komplikuara. Jemi me të vërtetë shumë afër fitimit të titullit kampion.
Nuk e qarkulluam shumë topin kundër M’Gladbach, luajtëm pak ndryshe në aspektin taktik. U përqendruam shumë te loja në mesfushë, por ia dolëm të sigurojmë tre pikë të rëndësishme. E kemi treguar se kemi potencialin për të fituar këto lloj sfidash të vështira“, thekson Neuer. /abcnews.al

