Hije skandali, Fury-Joshua organizohet nga një i inkriminuar

schedule13:19 - 13 Qershor, 2020

schedule 13:19 - 13 Qershor, 2020

Që shoqëria njerëzore nuk ka arritur ende në ndonjë shkallë përsosmërie kjo është e qartë, por që të lexosh se në Britaninë e Madhe sot, duhet një njeri i dyshuar si shumë i keq dhe shumë i rrezikshëm, për të organizuar një “Ndeshje të Shekullit”, kjo të bën të dëshpërohesh jo pak.

Mediat britanike shkruajnë se njeriu që bëri të mundur marrëveshjen mes “kampeve” të Tyson Fury dhe Anthony Joshua është një i dyshuar si i përfshirë në aktivitet kriminal. Quhet Daniel Kinahan, është irlandez nga Dublini, dhe ishte Fury ai që e caktoi për të bërë marrëveshjen.

Kinahan është një nga ndërmjetësit më të shquar të boksit profesionist dhe tabloidi “The Sun” shkruan se irlandezi është dërguar në gjyq nga Zyra Kriminale e Pasurive (Criminal Assets Bureau), i akuzuar si lideri i kartelit Kinahan, një grup i organizuar kriminal, i përfshirë në tregtinë e drogës, kontrabandën e armëve dhe vrasjeve.

Gazeta “Irish Times” shkruan se, në vitin 2018 një oficer i policisë spanjolle i tha një gjykate në Marbella se Kinahan kishte urdhëruar vrasjen e një banditi rival në Kosta del Sol në vitin 2015. Në të vërtetë, reagimet në media kanë qenë të shumta, ndërsa televizionet kryesore me pagesë e kanë mohuar arritjen e një akordi.

Nga ana e tij, kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, deklaroi se Tyson Fury duhet të tërhiqet nga një veprim i tillë. Sidoqoftë, ndeshja besohet se mund të luhet, ndërsa duhen caktuar vendi, që mund të jetë Arabia Saudite ose Las Vegasi.

Fury e Joshua do të ndanin të ardhurat 50 me 50, ndërsa në ndeshjen e dytë, 60 për qind do t’i merrte fituesi i së parës, dhe 40 për qind humbësi.  Daniel Kinahan, edhe pse nën dyshime kaq të tmerrshme, është në gjendje të vazhdojë aktivitetin e tij dhe të bëjë miliona.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!