Jadon Sancho është një talent i madh dhe, me shumë mundësi, ky do të jetë sezoni i fundit me Borussia Dortmund. 20-vjeçari anglez është golashënuesi më i mirë i verdhezinjve në kampionat dhe i treti në Bundesligë, teksa numëron 17 realizime dhe 16 asiste.
Pavarësisht shkëlqimit në fushë, jashtë saj nuk mungojnë problemet. Drejtuesit e kanë gjobitur disa herë për sjelljet e tij. Së fundmi pagoi 8.800 euro për thyerjen e protokollit sanitar. Drejtori sportiv i Dortmund, Michael Zorc flet hapur në lidhje me të për SportBild.
“Jadon nuk është vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm që shihet në fushën e blertë, herë pas herë bie në sy edhe për atë që bën jashtë fushe. Ka raste kur nuk e kemi të lehta ta menaxhojmë“, deklaron drejtori sportiv. /abcnews.al