Milani rikthehet nesër në fushë dhe do e rinis me Kupën e Italisë. Kuqezinjtë do të përballen jashtë fushës me Juventusin në gjysmëfinalen e kthimit. Dueli i zhvilluar në “San Siro” është mbyllur 1-1, rezultat që favorizon bardhezinjtë.
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka analizuar situatën në konferencën për shtyp. Ndeshja do të zhvillohet pa tifozë, kundërshtari është i fortë, por Pioli beson te djemtë e tij. Dëshira për t’u kualifikuar në finale, është e madhe dhe Milani do të bëjë maksimumin për t’ia dalë.
“Rifillimi i ndeshjeve është gjëja më e rëndësishme. Është e qartë që duhet ta bëjmë këtë gjë me siguri maksimale. Milani ka qenë gjithmonë i kujdesshëm dhe pro rifillimit të kampionatit. Mungesa e tifozëve është një dëm i madh, por është e keqja më e vogël në këto momente.
LEXO EDHE: Sarri: Kualifikimi i hapur, Milani na ka vënë në vështirësi këtë sezon
Nesër nisemi të barabartë, kemi një disavantazh prej rezultatit të ndeshjes së parë, por e kemi cilësinë për të tentuar kualifikimin. Gjithmonë më ka karikuar me energji një stadium që bën tifozllëk kundër teje.
Sigurisht që prania e tyre do t’i jepte një shtysë edhe skuadrës kundërshtare. Duhet të përshtatemi me stadiumin bosh, e provuam kundër Genoas në ‘San Siro’. Kualifikimi në finale? Të gjithë e kemi këtë dëshirë, do e tentojmë nesër“, përfundon Pioli. /abcnews.al