Maturantët në të gjithë vendin iu nënshtruan këtë të enjte testit të dytë, atij të gjuhës dhe letërsisë. Përmes alternativave, 32 mijë maturantë u testuan për njohuritë e marra gjatë 3 viteve të fundit, duke iu përmbajtur protokolleve të përcaktuara në raport me situatën e covid-19.
Për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi testet e maturës shtetërore për shkak të situatës së jashtëzakonshmi duhet të anuloheshin, njësoj siç vepruan edhe shtete të tjera.
“Kam mbrojtur idenë e mosdhënies së provimeve të maturës, por ky vendim i dërgoi maturantët në sallat e shkollave të cilat nuk plotësonin standardet europiane. Rreziku i përhapjes së koronavirusit ishte dhe është i madh dhe rezultatet e fundit dëshmojnë këtë shqetësim tonin. Vendet fqinje morën vendim të mosdhënies së provimit, të gjitha niveleve të provimeve përmbyllëse në sistemin para-universitar duke shënuar një notë parashikuese në bazë të vijimësisë që nxënësi ka për gjatë viteve”, tha Boçi.
Boçi flet për rrezikun që testet e maturës të prodhojnë pabarazi të theksuara mes maturantëve në ambicien e tyre për të hyrë në universitet.
“Jemi në kushtet e një maturë të bërë më forcë, por të një mature krejt formale që nuk konkludon përgatitjen e saktë të nxënësve”, u shpreh ai.
Ish-deputeti kujton se Ministria e Arsimit dështoi me mësimet online dhe tashmë po i detyron maturantët që çdo 3 ditë të testohen për njohuritë e tyre.
“Nga njëra anë kemi një situatë stresuese për maturantët dhe nga ana tjetër një proces të keq administruar. Protokolli i sigurisë nuk është respektuar”, tha Boçi.
Javën e ardhshme, pritet edhe përmbyllja e ciklit të testeve të maturës shtetërore me testin e matematikës në 15 qershor dhe atë të lëndëve me zgjedhje në 18 qershor./abcnews.al