6 orë seancë, Tahiri: Jam i vetmi që kam lënë mandatin, e kam bërë punën më mirë se të tjerët

schedule15:58 - 11 Qershor, 2020

schedule 15:58 - 11 Qershor, 2020

Mbyllet pas 6 orësh seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit ndaj Saimir Tahirit. Jashtë dyerve të gjykatës ish-ministri i Brendshëm ka deklaruar se ka do të presë vendimin e gjykatës për të dhënë një mendim për të.

Ai tha se ka qenë i ndershëm me këdo që ka pasur pranë, dhe duke sfiduar deputetët që ndodhen në Kuvend, shtoi se e ka bërë punën më mirë se ata që kanë qenë dhe ata që janë sot.

Pyetjes se nëse do kthehet sërish në politikë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Tahiri iu përgjigj se nuk ka ikur kurrë

“E keni dëgjuar dhe stërdëgjuar dhe nuk besoj se duhet të zgjatem. Tani do flasë gjykata. Ajo që dinim, i keni parë. Kursejani dhe njerëzve gjithë këtë historinë komike të gjyqit tim. Nuk e besoj se ka njeri terezi të dëgjojë këto gjëra. Nuk ka ndryshuar asgjë.

Unë nuk kam folur shumë kur kam qenë i akuzuar kur kam qenë në gjyq për të respektuar drejtësinë. Jam i vetmi që kam dhënë mandatin tim të deputetit që të përballesha si qytetar. Mund të më shihnit çdo të enjte në parlament dhe të vija këtu si deputet. Rëndësi ka që para çdo njeriu kam bërë gjënë e duhur për akuzën që më ngjiti gjykata, shpërdorim detyrës. E kam bërë detyrën më mirë se ata që ishin dhe ata që janë.

Saimir Tahiri nuk ka ikur. Historia e politikës nuk më tundon, ashtu si kur ika për t’u përballur me drejtësinë. Do ta pranoj vendimin e gjykatës. Ai është për t’u pranuar dhe për t’u zbatuar. Nëse do e quaj të drejtë do e them pasi ta shoh. Çmimi i jetës sime nuk kalon nga çmimi i karrierës së tyre”, u shpreh Tahiri.

Vendimi për ish-ministrin e Brendshëm do merret në orën 09:30 në datë 24 qershor. Ditën e sotme Tahiri ka paraqitur një mbrojtje prej 138 faqesh, ndërkohë që prokurorët e çështjes kanë kërkuar shfuqizim të dënimit të konvertuar në shërbim prove.

Tahiri një vit më parë është dënuar 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë ky shtë një vendim që nuk është pranuar as nga ish ministri dhe as nga prokuroria, duke e apeluar zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit që që nga java tjetër do të fillojë me gjykimin e dosjes.

Prokuroria e akuzonte Tahirin se në kohën kur ishte ministër i brendshëm bashkë me ish- drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela kanë bashkëpunuar me Moisi Habilajn./abcnews.al