DOKUMENTI/ Çudit Bashkia Skrapar, hap tenderin për drekë me mjekun Pëllumb Pipero

schedule18:41 - 10 Qershor, 2020

schedule 18:41 - 10 Qershor, 2020

Me një vendim surprizë, Bashkia Skrapar ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” mjekut të njohur infeksionist Pëllumb Pipero, vetëmpak ditë më parë. Pipero pati një rol të rëndësishëm gjatë pandemisë së Covid 19.

Titulli i është dhënë më 28 maj 2020, me propozim të Kryetarit të Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema dhe me motivacion: “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik në përballimin e situatës së pandemisë, shkaktuar nga COVID-19”.

Por veç titullit honorifik për mjekun infeksionist, Bashkia Skrapar ka menduar edhe për një drekë, për të cilën ka hapur një tender në Agjencinë e Prokurimeve Publike.

LEXO edhe: Surprizë për mjekun, bashkia e Skraparit shpall “Qytetar Nderi” Pëllumb Piperon

Objekti i tenderit është: “Organizim dreke me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” z. Pëllumb Piperos”.

Fondi limit i parashikuar nuk bëhet me dije, sikundër nuk dihet nëse në drekë do të jetë ose jo, vetë mjeku.

Çudi mbetet fakti se të gjithë ofertuesit, sipas shpalljes së Bashkisë duhet të paraqesin ofertat për drekën e Piperos duke filluar nga mëngjesi i sotëm deri nesër në orën 10.30.

Kriteret që duhet të plotësojë fituesi mbeten mister.

Dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Piperon, Bashkia Skrapar e ka njoftuar edhe në faqen e saj në internet.

/abcnews.al