Zgjedhja e kandidatëve për deputetë nga baza, Salianji:Do testohemi të gjithë para anëtarësisë

schedule17:05 - 10 Qershor, 2020

schedule 17:05 - 10 Qershor, 2020

Hedhja e firmave nga të mandatuarit politikë mbi këtë marrëveshje të shkruar në anglisht nga ndërkombëtarët, për forcat politike në Shqipëri ishte sinjali i parë se duhet të nisnin përgatitjen për zgjedhjet.

48 orë pas firmosjes së saj, Lulzim Basha deklaroi në kryesinë e Partisë Demokratike se nuk do të humbasë kohë dhe nga 15 qershori do t’i kërkojë strukturave të Partisë Demokratike të nisin propozimet për kandidatët që do të përfaqësojnë demokratët në Parlamentin e ardhshëm.

Për ish-deputetin Ervin Salianji, nisja e një procesi të tillë brenda Partisë Demokratike krahas përmbushjes së një neni staturor, është edhe një sprovë që vetë demokratët duhet të kalojnë mes tyre.

“Gjithsecili prej nesh, pa përjashtuar askënd duhet të provohet dhe duhet të matet me anëtarësinë e Partisë Demokratike dhe me qytetarët për të kontribuar në Partinë Demokratike. Ashtu siç ka ndodhur edhe në këto shtatë vite është moment që të kontribuohet për Partinë Demokratike dhe jo të shihet se kush do të marrë prej saj.

Historia ka treguar se ata që kanë përfituar më shumë nga Partia Demokratike dhe janë shpërblyer më shumë në të kaluarën, kanë shkuar, le të mos themi në shtratin e Ramës, por i kanë shërbyer dhe i shërbejnë ende Ramës”, deklaron Salianji.

Në shtator demokratët pritet të përmbyllin procesin e filtrimit të emrave të propozuar nga bazat dhe Lulzim Basha në vjeshtë pritet të ketë në krah edhe ekipin e tij përmes së cilit do t’i kërkojë shqiptarëve votën.

“Në fillim të vjeshtës të kemi gati kandidaturat duke kaluar të gjithë etapën e marrjes së propozimeve, jo vetëm nga anëtarësia, por si një forcë e cila tanimë është shumicë për qytetarët shqiptarë, duhet të përfaqësojë çdo ndjeshmëri, çdo sensibilitet, çdo hapje drejtë shoqërisë për të qenë të plotë dhe të gatshëm dhe të përgjegjshëm për ta kthyer të gjithë zemërimin apo urrejtjen dhe gjithçka tjetër që ka të bëj me këtë qeverisje, në shpresë për qytetarët shqiptarë duke paraqitur jo vetëm alternativën por edhe duke vendosur emrat përkatës në çdo zonë zgjedhore dhe në çdo bashki”, thekson ish-deputeti demokrat.

Si i ri i angazhuar në politikë gjatë kohës kur Partia Demokratike ishte në opozitë, Salianji i bën thirrje të rinjve por edhe profesionistëve të angazhohen në politikën aktive.

“Duke qenë se unë jam përfshirë në opozitë në Partinë Demokratike si i ri në politikë, i bëj thirrje çdo të riu, çdo qytetari, çdo njeriu që ka ambicie apo edhe reputacion në komunitetet e tjera, që të përfshihen në politikë.

Ky është momenti që të përfshihen. Qeverisja e nesërme ka nevojë për më shumë profesionistë, më shumë zëra me kredibilitet dhe Partia Demokratike ka nevojë që zëra që edhe mund të kenë një lloj skepticizmi ndaj politikës t’i bashkëngjiten Partisë Demokratike për tu bërë pjesë e rëndësishme e ekipit qeverisës nesër”, përfundon Salianji.

Në 15 qershor, demokratët do të shpërndajnë në degë udhëzimin për nisjen e procesit të zgjedhjes së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!