Protestat në fasoneri, Rama: Nuk do marrin pagë lufte ata që kanë shkuar në punë

schedule15:16 - 10 Qershor, 2020

schedule 15:16 - 10 Qershor, 2020

Në konferencën për shtyp nga Kryeministria, kreu i qeverisë i është përgjigjur pyetjes së gazetares së Abc News, Erblina Mile. Rama u pyet për afatin e fundit të vënë nga qeveria për kompanitë që duhet të deklaronin punonjësit e tyre për pagën 45 mijë lekë, që ishte 5 qershori dhe nëse kanë qenë korrekte kompanitë.

Ndërsa gjatë këtyre kohëve punonjës të fasonerie në vend kanë protestuar për mos marrjen e “pagës së luftës”, Rama u shpreh i prerë se nuk do të paguajnë asnjë person që ka shkuar çdo ditë në punë.

“Kam parë disa spekulime të bëra që natyrisht janë edhe të nxitura, por nuk po i adresoj. Një fasoneri ku njerëzit dalin dhe thonë s’na kanë dhënë asgjë. Ne kemi bërë të gjithë analizën, ne nuk mund të paguajmë njerëz që nuk janë mbyllur asnjë ditë dhe e kanë marrë pagën rregullisht. Do të paguajmë të gjithë ata që qoftë edhe një ditë kanë humbur mundësinë për punë”, tha Rama.

Ndërkohë lidhur me pyetjen nëse kanë qenë apo jo korrektë kompanitë, Rama u përgjigj: “Ata që janë përgjigjur pozitivisht janë shumë. Ata që nuk janë përgjigjur s’ka rëndësi, janë afro 4500”.

Më tej kreu i qeverisë tha se do të jenë 1 çerek milion  njerëz që do të marrin pagat, ndërsa nuk kursen ironinë edhe për deklaratat e opozitës.

Ne kemi qenë pro aktivë, tatimet kanë bërë punë e tyre dhe kanë verifikuar çdo person. Ajo që kemi thënë  në momentin që kompanitë nuk do përgjigjen do ndëshkohen. Por kjo nuk mjafton, se punonjësit nuk i intereson kjo. Do të jenë çerek milion njerëz që do të marrin pagat. Këto historie dhe video selfi janë të shëmtuara, të turpshme dhe mbi të gjitha janë të sajuara. Ne e dimë që ka akoma njerëz që nuk e kanë marrë dhe do ua japim të gjithëve. Publikimi do të bëhet bazuar në të dhënat bankare jo në lista dëshirash dhe kur të dalë emri shkoni dhe pyesni e ke marrë se ke marrë. Përsëri ne do të rrimë printo”, u shpreh Rama. /abcnews.al