Rama i zhgënjyer për marrëveshjen në “tokën amerikane”: Jemi të paaftë të komunikojmë shqip

schedule11:59 - 9 Qershor, 2020

schedule 11:59 - 9 Qershor, 2020

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Rama nuk e ka pritur mirë faktin se kjo marrëveshje u arrit në “tokën amerikane”, pasi palët politike në vend nuk arrijnë dot të gjejnë gjuhën e përbashkët. Sipas kryeministrit kjo nuk duhet të ndodhë më.

“I gjithë ky qëllim e bën të duket akoma më problematikë që jemi ende të paaftë të komunikojmë shqip me njëri-tjetrin pa përkthye. Rasti i fundit është flagrant. Jemi mbledhur në një ambasadë të gjithë përfaqësuesit e forcave politike, mbyllur atje me ditë dhe net për të lënë gjërat siç janë për tu marrë vesh në fund se nuk duhet bërë atë që duhet të bënim, por do i lëmë gjëra siç janë. Kur sheh këtë fund, mund të mendosh po këtë nuk mund ta realizoni vetë. Pse duhej që të kërkonim ndihmë në një ambasadë  mike. Pse duhej që komunikim mes nesh të kalonte në disa gjuhë. Më vjen keq, por mendoj se kjo do jetë e fundit dhe miqtë tanë të paçmueshëm nuk duhet të ndjehen më në këtë pozitë ashtu sikundër edhe zgjedhësit tanë nuk kanë pse të shohin nga dyer e ambasadave, nuk është sekret që me presidentin kemi çështje të hapura por patjetër që mund të takoheshim te Presidenti, te kryetari i Kuvendit, te kryemyftiu i Tiranë, te Baba Mondi, mund të shkojmë edhe te protestantë, por nuk mundet më që të bëjmë dialog dhe marrëveshje nëpër ambasada. Kjo duhet të jetë e fundit”, tha Rama.

Megjithatë gjatë fjalës së tij më herë kryeministri u shpreh optimist se me këto që janë arritur Shqipëria është më pranë integrimit në BE.

Pjesë nga deklarata e Ramës:

Besoj që sot mund të thuhet se jemi në një stad të ri, çka na mbledh këtu në këtë forum të diktuar edhe nga koha që kalojmë njësoj si edhe vetë procesi, është kuadri negociator, plani i masave për negocimin. Q do të thotë se 11 vite pas aplikimit të bërë dhe 6 vite pas marrjes së statusit kandidat jemi të gatshëm që të hapim këtë faqe të ri. Është një faqe me më shumë detyra dhe sfida. Patjetër që kërkon më shumë energji dhe bashkëpunim mes nesh. Një gjë mund të thuhet me bindje që kur e shohim procesin me vështrim para jemi ende larg objektivit të anëtarësimit, por kur e kthejmë kokën pas e shohim pa vështirësi se jemi shumë më afër sot se sa ishim qoftë edhe një vit më parë.

Ky është një proces që ne na duhet si drita dhe si uji njeriut për të bërë Shqipërinë një vend që është një shtet me standardet e BE. Është një proces që e bëjmë se e kërkon e ardhmja. Ne jemi sot në një fazë të ndërmjetme në një tranzicion mes një vendi që aplikon. Kemi një sërë sfidash të gjithhershme por që përbëjnë prioritete kyce dhe një sërë reformash që janë në proces. Është një sfidë që do na ndjekë.

Njësoj si me reformën në drejtësi edhe në këtë aspekt rezultatet flasin, gjithmonë duke u nisur nga ajo që thashë në fillim. Kemi ende goxha për të bërë, por nëse shohim nga ku jemi nisur jemi shumë afër nga çfarë ishim 11 vite më parë.

Jemi në kushte ku mund të jemi të inkurajuar nga sa kemi bërë dhe mund të jemi të bindur se nëse i bëjmë si duhet gjëra mund të përshpejtojmë edhe procesin. Sifoqoftë edhe për ata që në një mënyrë ose tjetër, edhe për influencat krijuan një skepticizëm në lidhje me BE morën dy përgjigje të njëpasnjëshme spektakolare.

Goditja e dytë që morëm me këtë pandemi, BE ishte përsëri aty prezent. Me gjithë sekëlldinë nuk na ktheu shpinën, por na shtriu dorën.

Besoj që në fund të ditës ne mund të bëjmë një rrotullim 360 gradë të vështrimit tonë dhe mund të gjejmë në gjithë atë rreth të sfidave plot arsye për të thënë e bardhë, e ze, kështu apo ashtu, por askush nga ne nuk i shmanget dot një vrime të zezë që ne kemi ende sot. Dhe po për fat të keq, krahasuar me të gjitha vendet që sot janë anëtare të BE jemi realisht pa shokë, të pashoq për të dialoguar mes veti, për të gjetur mes veti zgjidhje për ato çështje që janë të krijuara të natyrës politike. Por janë gjithmonë sebepe që nuk e konkurojnë dot në asnjë rast madhësinë dhe peshën e një qëllimi që në Shqipëri e ndajnë të gjitha forcat politike dhe shoqërore. Ndoshta jemi rast unikal.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!