Ishte 13 tetori i vitit 2017, ku menjëherë pas zgjedhjeve, PS e PD nisën bashkë punën për reformën zgjedhore, në një komision parlamentar të bashkëdrejtuar nga Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi.
Por klima politike nuk e ndihmoi rishkrimin e Kodit Zgjedhor.
Seancat e tensionuara parlamentare, bojkoti i Kuvendit, protestat dhe në fund, djegia e mandateve të opozitës, e bënë të pa mundur vijimin e reformës zgjedhore.
Pasi PS shkoi e vetme në zgjedhje duke marrë në 30 qershor të gjitha bashkitë, pavarësisht një dualiteti të fortë Rama-Meta, demokratët provuan një kurs tjetër të arritjes së qëllimeve të tyre.
Duke i mëshuar fort një prej kushteve të Bundestagut gjerman, që kërkonte Reformë Zgjedhore konsensuale dhe ndëshkim të krimeve elektorale, PD tha se do të ulen me qeverinë vetëm për të plotësuar këtë kusht për integrimin.
Në 14 janar të këtij viti, ata u ulën në një tryezë përballë Damian Gjiknurit që e kishin akuzuar për blerje votash. Në Pallatin e Kongreseve u bënë bashkë dy përfaqësuesit e Parlamentit dhe dy të opozitës jashtë kuvendore.
Prishja e Teatrit Kombëtar i ngriu pak marrëdhëniet, por menjëherë më pas, Basha tha se ky akt ishte një kurth i ngritur nga Kryeminisitri që opozita të braktiste Reformën Zgjedhore, grackë në të cilën kryedemokrati tha se nuk do të binte.
Mbledhja e mëpasshme shënoi disa dakordësi. “Do të shkurtohet nga 15 prilli deri në 15 maj dhe nga 15 tetori në 15 nëntor”, do të deklaronte Damian Gjiknuri, më 28 maj.
“Kjo i jep mundësi jo vetëm zgjedhësve të marrin pjesë në numër më të lartë, apo i largoemi periudha të nxehta dhe të ftohta që mund të pamundësojnë”, shprehej Oerd Bylykbashi, në të njëjtën ditë.
Po në të njëjtën mbledhje, palët ranë dakord që të marrin nga buxheti i shtetit, dyfishin e fondit që kanë marrë deri tani për fushatën elektorale, nga 65 milionë të rinj, ta çojnë atë në 130 milionë. “Kanë rënë dakord të dyja palët, PS-PD që buxhetimi për partitë politike të dyfishohet. Këto para vijnë nga taksapaguesit shqiptarë”, deklaroi Rudina Hajdari.
Por kur u prekën çështje të nxehta që i kërkonin me ngulm palët, si identifikimi biometrik, apo depolitizimi i komisioneve zgjedhore, konsensusi nuk u duk gjëkundi.
“Të fusë identifikimin biometrik në të gjitha qendrat e votimit për të garantuar që kutitë e votimit nuk mbushen”, shprehej më 29 maj Oerd Bylykbashi. “Asnjëherë zgjedhjet nuk mund të vihen në dyshim se nuk funksionoi teknologjia”, tha Damian Gjiknuri.
Kishin ngelur dhe dy ditë që palët t ja dilnin brenda 31 majit, sic Yuri Kim kishte kërkuar.
Palët e provuan të shtunën pa sukses, ndërsa të dielën, në ditën e fundit, ambasada amerikane dërgoi diplomatin e saj Ian Crawford për të ulur palët në kompromis.
Në këtë takim, PS bëri një hap pas, duke pranuar që identifikimi elektronik të kryhej në të gjithë vendin, dhe pse më herët kishte argumentuar se kjo është e pasigurt. “Pyeteni zotin Bylykbashi nëse është realizuar 100% identifikimi biometrik janë dakord, kanë më pretendime”, deklaroi Gjiknuri.
Ajo që kishte kërkuar PD me negociatorin amerikan, ishte që komisionerët të mos zëvendësoheshin me anëtarë të administratës. “PS nuk ishte akoma e gatshme për të arritur konsensus për çështje të rëndësishme duke synuar që të mbajë privilegje dhe kontrolle mbi procesin zgjedhor në mënyrë që të garantojë procese të ngjashme me 30 qershorin’, tha Bylykbashi.
PS këmbënguli me pretendimin se depolitizimi është kërkesë e OSBE/ODIHR.
Të hënën e 1 qershorit, ambasadorët kërkuan që opozita të pranonte depolitizimin e administratës zgjedhore sipas propozimit të PS, në këmbim të identifikimit biometrik 100 përqind, gjë të cilën, Basha nuk e pranoi, më argumentin se teknologjinë qeveria mund ta dështonte, dhe se pa komisionerët e saj në qendra votimi e numërimi, opozita nuk kishte asnjë garanci.
Të martën, ambasdorja Yuri Kim, bëri një veprim të fortë. Ajo i thirri 4 anëtarët e Këshillit Politik në rezidencën e saj, ku i priti bashkë me kolegët Soreca e Norman. Një negociatë për punët e brendshme, në një territor amerikan, ishte pa dyshim një shkundje e test i fortë për të gjitha palët.
9 orë përpjekje nuk mjaftuan për “tymin e bardhë”. Qeveria pranoi të financojë teknologjinë në zgjedhje, ndërsa opozita ende nuk e pranonte depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Ambasadorja Yuri Kim thirri median në verandën e shtëpisë së saj. “Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për çështje që shkojnë përtej rekomandimeve të ODHIR ne do t’i mirëpresim ato. Nëse konsensususi nuk arrihet për çështje që janë jashtë kërkesave të ODHIR apo kundër tyre atëherë partitë duhet t’i braktisin këto kërkesa”, tha Kim mbrëmjen e 2 qershorit.
Pas konsultimeve me Bashën e Ramën, palët u kthyen sërish të mërkurën në rezidencën amerikane, kur tre ambasadorë i prisnin për të firmosur marrëveshjen.
Sërish ambasada futi median brenda në rezidencë, një veprim ky i rrallë, po aq i rrallë sa vetë forma e marrëveshjes që synohej.
Palët bën pushimin e parë.
PD kishte bërë lëshimin e saj të kushtëzuar, duke pranuar depolitizimin e komisioneve.
Opozita pranonte formulën e PS që 3 komisionerë të ishin të të pavarur, por nga shorti kërkonte të përjashtoheshin punonjësit e administratës publike. Të ty palët ishin dakord që në komisione të uleshin dhe 4 anëtarë pa të drejtë vote, nga të cilët 2 mazhoranca dhe 2 opozita.
Ishte koha që dhe Damian Gjiknuri të njihte për këto propozime Edi Ramën.
Gjiknuri dhe Hajdari u rikthyen në orën 8:30 siç ishte parashikuar, por Bylykbashi e Vasili, jo. Ata u kyçën në selinë blu bashkë më Bashën dhe Kryemadhin.
Basha ishte i vënë në vështirësi nga aleatët të cilët i kërkonin të kishin vëzhgues në qendra votimi e numërimi.
Pas një ore pritjeje, ambasadorët e humbën durimin. Parlamentarët u larguan, ndërsa Yuri Kim bëri me dije se në fushën e kujt ishte topi. “Ka ardhur koha për opozitën, për PD, për mikun tim Luli Basha që të baraspeshojë, të balancojnë të gjithë faktorët dhe të thonë po për popullin shqiptar. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij”, deklaroi Kim.
Pak çaste më pas, Basha tha se do të punonte për zgjidhjen. “Ka mbetur një çështje pa zgjidhur, dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme”, tha Basha.
Të enjten, demokratët heshtën. Ndërsa në parament Edi Rama rrëfeu detaje nga negociatat. “Nuk na intereson fare sa i depolitizuar është, ta vendosë atje me votën tonë, zëvendës kryetar të KQZ me mandatin ekskluziv q ëtë merret me teknologjinë”, tha Rama.
Paralelisht, kishte hyrë në lojë Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varheli. Ai kishte kërkuar nga palët reformë konsensuale dhe të mbyllur deri të premten, përndryshe, Komisioni Evropian të hënën do të mbante shënime negative për Shqipërinë.
BE ofroi si formulë kompromisi, komisione votimi me një kryetar jashtë administratës publike, dhe dy ndihmës që mund të ishin edhe nëpunës shteti.
Mëngjesin e së premtes, opozita ju tha ambasadorëve se pranonte depolitiziminm me kusht që adminsitrata të mos ishte pjesë as për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e as për ato lokale, pra, depolitizimi të aplikohej në viti 2025.
PD njoftoi për këtë Komisionerin Varheli dhe Presidentin e Republikës. Palët njoftuan se do të uleshin në tryezë pasdite.
Ambasadorët nuk humbën rastin për tu ndenjur palëve mbi kokë deri sa të shihnin firmat e njoma mbi marrëveshjen e shkruar në anglisht.
Damian Gjiknuri në hyrje të Pallatit të Kongreseve ishte i ngrysur. Arsyeja u kuptua më pas. “Pavarësisht se rekomandimi ka qenë që administrata zgjedhore të ishte e depolitizuar dhe qëllimi i qeverisë dhe PS ishte që këtë rekomandim në bazë të ODHIR ta çonte përpara fatkeqësisht PD nuk ishte gati, e kundërshtoi. Por ajo çka fituam është e rëndësishme që ne tani kemi rregulla të dakordësuara”, tha Gjiknuri
Në këtë mënyrë, PD kishte hequr dorë nga qeveria kujdestare, duke pranuar të shkojë kështu në zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën kryeministër, gjë që ishin përbetuar ta refuzonin.
Opozita kishte fituar identifikimin elektronik të votuesve, e njëkohësisht kishte ruajtur dhe komisionerët e saj.
Nga ana e saj, shumica nuk kishte arritur të depolitizonte komisionet zgjedhore, siç kishte këmbëngulur duke tundur rekomandimet e ODIHR, e po ashtu, kishte dështuar të garantonte votën e emigrantëve, siç kishte premtuar.
Kjo marrëveshje shkriu Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku 5 anëtarët u bënë kurbanë të marrëveshjes së re, ndërsa në organin e ri, kryekomisioneri do të zgjidhjet me konsensus, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë nga opozita, me detyrë të posaçme, përgatitjen e identifikimit elektronik.
Kjo reformë nuk ju dha shqiptarëve një sistem zgjedhor më përfaqësues, as lista të hapura, e as një ligj për të vendosur vetë për referendumet.
Këto çështje do të vijojnë të diskutohen në këshillin politik, ndërsa marrëveshja për reformën, zhveshi palët nga alibia e manipulimit të zgjedhjeve, si dhe do të zbusë klimën me të cilën do të shkojmë në fushatë zgjedhore. /abcnews.al